Gjatë tre ditëve të kaluara, Shkupi është renditur në dhjetëshen e parë të qyteteve me ajër më të ndotur në botë. Mos funksionimi i mirëfilltë i sistemit të inspektorateve në Shkup dhe më gjerë, sipas sektorit civil, është arsyeja kryesor se pse në kohën kur temperaturat janë akoma të larta, ndotja e ajrit është prezente
Omer XHAFERI
Shkup, 29 tetor – Ende pa ardhur temperaturat e ulëta, ndotja e ajrit është prezent gjithandej Shkupit dhe rrethinës. Në shikim të parë, si rezultat i motit të ngrohtë, shumë qytetarë nuk mund të bëjnë dallim se ajri është i ndotur apo jo, por sipas sektorit ekologjik civil, mjafton të ngjitesh mbi Malin Vodno dhe e gjithë situatë do të bëhet e qartë. Tymnaja nga ndezja e maleve, shkurreve dhe deponive në kryeqytet i ngjanë një “zone të helmuar”. Nga Iniciativa 02, duke reaguar për zhvillimet e fundit, pyesin se deri kur institucionet do të merren vetëm me “konstatime”, ndërkohë që ndezja e bërllokut dhe tymi toksik është prezent gjatë gjithë vitit. Sipas tyre, Qyteti i Shkupit, Inspektorati i tyre dhe Komunat në Shkup kanë inspektorate jo funksionale. “Sistemi nuk funksionon. Në vend të rrethimit të këtyre vatrave kronike, të vendosnin shërbime kujdestare 24/7, me kamera dhe mos të hidhen mbetjet, as të ndizen… neve e njëjta gjë na ndodh me muaj e vite të tëra. Po del se me mos ndërmarrjen e masave, të cilat do ta zgjidhnin problemin, gjendja aktuale nga Vizbegu, Shutka, Vardarishte, Lepenci, Saraji e lokacione tjera do të mbetet e pandryshuar, edhe pse ligjërisht nuk është e lejuar.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, koordinator kryesor i kryetarëve të Komunave në Shkup, kryetar i Njësisë për Vetëqeverisje Lokale, çfarë bëri për dy vite për zgjidhjen e pikave të zeza në rajonin e Shkupit? Me bërllokun po veprohet sikur Drislla të mos jetë, ndërsa termini për menaxhimin të bërllokut sikur të mos ekzistojë. Në terren, në vend të standardeve, sundon sistemi hedh në vendet e njëjta, pastaj ndize, dhe askush nuk është fajtor. Ky është sistem i trajtimit të bërllokut, i cili po zbatohet nën prezencën e 10+1 kryetarëve në qytet. Deri kur?”, thonë nga Iniciativa O2. Gjatë tre ditëve të kaluara, Shkupi është renditur në dhjetëshen e parë të qyteteve me ajër më të ndotur në botë, respektivisht ku është regjistruar rritje e grimcave kancerogjene PM 10. Pas Shkupit është renditur vetëm Prishtina (e 10-ta në listë), ndërkohë para kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, nga kryeqytetet e rajonit janë Sarajeva dhe Beogradi. Sezoni i ngrohjes në vend edhe zyrtarisht filloi më 15 tetor të këtij viti. Përkundër çmimit të shtrenjtë të drunjtëve, shumë qytetarë, kryesisht të kategorive sociale, janë përgatitur më herët për periudhën e dimrit. Ndërkohë, iniciativa e Qeverisë për subvencionimin e kondicionerëve inverter ende nuk ka hy në fuqi.
Zëvendësministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, për gazetën KOHA, duke folur për masat e fundit të Qeverisë kundër ndotjes së ajrit, gjegjësisht për subvencionimin e kondicionerëve inverter, pranoi se këto aktivitete janë të vonuara, por shtoi se me ketë problemin do të zgjidhet për periudhë afatgjate. “Meqë efekti do të jetë afatgjatë dhe se ata familje më asnjëherë nuk do të ndotin, nuk mendojë se është masë e vonuar, edhe pse në shikim të parë pajtohem se sa i përket sezonit të ngrohjes, pak jemi të vonuar. Por, nëse shohim për periudhë afatgjate, nga muaji dhjetor i këtij viti ata familje nuk do të ndotin. Kësisoj efekti është realë dhe i dobishëm për të gjithë si për qytetarët, ashtu edhe për rrethinën. Mendoj se thirrja publike për subvencionim të kondicionerëve inverter do të shpallet javën e ardhshme. Për momentin mundohemi ti definojmë disa çështje për parandalimin e keqpërdorimeve eventuale.
Dëshirojmë të jemi transparent dhe asgjë të mos jetë mbi super e qytetarëve. Subvencionimi do të përfshijë edhe instalimin e kondicionerëve”, tha zëvendësministri Makraduli. Rreth këtij problemi, i cili përsëritet vit pas viti, të martën foli edhe kryeministri Zoran Zaev, i cili tha se ka shkelje ligjore në këtë drejtim dhe se suksesi nuk mund të arrihet brenda dy-tre viteve, gjegjësisht ai shtoi se Qeveria po ndërmerr hapa konkrete për zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Ndryshe, javën e kaluar Qeveria i akordoi 1 milion euro për diskolimin (pastrimin) e deponisë e cila ekziston në kuadër të fabrikës kimike “Ohis”.