Banorët e Fushë Tophanës dhe Dizhonit nuk dinë më ku t’i adresojnë kërkesat e tyre për zgjidhjen e këtij problem. Ata theksojnë se kur rrethrrotullimi dhe semaforët nuk vendosën rend, atëherë problemi përfundimtar mbetet te vetëdija e vozitësve
Omer XHAFERI
Shkup, 11 janar – Restaurimi i rrugës “Ferid Murad” në Çair dhe vendosja e semaforëve vite më parë në këtë rrugë fare pak ka kontribuar për rregullimin komunikacionit në këtë pjesë të Shkupit. Përkundër masave të autoriteteve kompetente, shoferët e automjeteve gati aspak nuk i respektojnë shenjat e komunikacionit. Aq më pak nuk merret parasysh se kjo rrugë shtrihet përgjatë një lagjeje tepër të dendur si është ajo e Dizhonit, dhe afër një shkolle fillore si “Ismail Qemali”, shkruan gazeta KOHA.
Aksidenti i fundit në këtë rrugë u regjistrua pasditen e së enjtes. Protagonistë të këtij aksidenti ishin shoferët e dy veturave “Audi” dhe “BMW”. Dëshmitarët okular kanë raportuar në rrjetet sociale se shkak për këtë aksident ka qenë shpejtësia e madhe. Sipas tyre, fatmirësisht se nuk ka pasur qytetarët në trotuare, ndryshe pasojat do të ishim më të mëdha. Banorët e Fushë Tophanës dhe Dizhonit nuk dinë më ku t’i adresojnë kërkesat e tyre për zgjidhjen e këtij problem. Ata theksojnë se kur rrethrrotullimi dhe semaforët nuk vendosën rend, atëherë problemi përfundimtar mbetet te vetëdija e vozitësve. Gjatë periudhës së viteve 2015 dhe 2016, në këtë rrugë u regjistruan dhjetëra aksidente, prej të cilave disa përfunduar me viktima. Si rezultat i kësaj gjendje u vendosën semaforët. Megjithatë, situata pothuajse aspak nuk ka ndryshuar. Frika dhe brenga se vallë mos po bëhen shënjestër e shoferëve të pandërgjegjshëm ekziston te të gjithë banorët e këtyre lagjeve. Sidomos të prindërit e nxënësve të cilët mësojnë në shkollën në fjalë.
Dy-tre qind metra më lartë se rruga “Ferid Murad”, është bulevardi “Sllovenia”, i cili ndër popull njihet si “pista” për gara me vetura gjatë dimrit dhe me motorë gjatë verës. Për të pasionuarit pas shpejtësisë, ky bulevard është atraktiv pasi në gjatësinë e tij nuk ka shumë banor që jetojnë. Por, kjo, sipas banorëve të lagjes Vizbeg, nuk është shkak që shoferët të tërbohen. Gjatë ditës së premte, banorët e kësaj lagje zhvilluan protestë në bulevardin “Sllovenia”, më saktësisht të udhëkryqi që shpie drejtë shtëpive të banimit. Në emër të protestuesve, Bejtush Gashi, nga lagja e Vizbegut, kërkoi nga autoritet që në udhëkryqin problematik të vendosen semaforë, apo të ndërtohet rrethrrotullim, i cili do ta zvogëloj shpejtësinë e automjeteve të cilët qarkullojnë në këtë bulevard. Më këtë sipas tij do të rritet edhe siguria për qytetarët e kësaj ane. Shkaktar për këtë protestë të banorëve të Vizbegut, është aksidenti i fundit i rëndë i komunikacioni i cili ndodhi në fund vit, ku me lëndime të rënda trupore kaloj shoferi i veturës “Golf 3”, dhe vajza e tij përfundoi me lëndime të lehta trupore.
Ngjashëm si banorët e Vizbegut, të cilët kërkojnë zgjidhjen e problemit të tyre të përditshëm me komunikacionin në bulevardin “Sllovenia”, ashtu vite me radhë ankoheshin dhe një pjesë e banorëve të Çairit, të cilët jetojnë në bulevardin “H.T Karposh”, përballë stadiumit. Por, kërkesa e këtyre të fundit u mor parasysh javë më parë, pasi në këtë bulevard pas shumë aksidenteve dhe goditjeve që kanë pësuar qytetarët nga veturat, u goditën rëndë tre fëmijë të mitur. Në këtë rast, revolta e ishte para eskalimit, dhe të njëjtit këmbëngulën që në këtë pjesë të bulevardit të vendosën semaforë për rritur sigurinë e tyre.
Qyteti i Shkupit, këtë kërkesë, ndonëse me vonesë e shqyrtoi, ka siguruar se javëve në vazhdim, pas përfundimit të dokumentacionit nga Sektorit i komunikacionit në Ministrinë për Punë të Brendshme, të vendosë semaforë. Ndryshe, përmirësimi i kulturës në komunikacionin rrugor, sipas Këshillit për Siguri në Komunikacion, pa dyshim se bëhet me respektimin e shenjave të komunikacionit, mirëpo ngritja e vetëdijes qytetarë mbetet sfera më e madhe ku duhen përmirësime. (koha.mk)