Shkolla “Naim Frashëri” është ndërtuar në vitin 1969 me një kapacitet prej 700 deri në 800 nxënës, ndërsa tani – numri i nxënësve është 1700, kurse gjysma e këtyre janë të lagjes Reçicë e Vogël. Prindërit e kësaj lagje që moti kërkojnë një shkollë, por assesi ky projekt të realizohet. Në ndërkohë, objekti ekzistues ku mësojnë nxënësit e fshatit Sellcë është ndërtuar në vitin 1952 dhe prej atëherë disa herë janë bërë renovime të vogla
Urim HASIPI
Tetovë, 26 nëntor – Banorët e Reçicës së Vogël dhe të fshatit Sellcë ende do të duhet të presin për ndërtimin e dy objekteve të reja shkollore për nxënësit e këtyre dy vendbanimeve të Komunës së Tetovës, pasi siç duket – edhe me buxhetin e ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë nuk janë ndarë mjete për realizimin e këtyre dy projekteve të rëndësishme, realizimi i të cilave ishte premtuar edhe nga vet kryeministri Zoran Zaev, kryetarja e Komunës së Tetovës, si dhe ministra të ndryshëm të MASH-it, shkruan gazeta KOHA.
Së fundmi, ministri aktual i Arsimit, Arbër Ademi nuk ka saktësuar nëse nga buxheti i ri i kësaj ministrie pritet të ndahen mjete për ndërtimin e këtyre dy objekteve shkollore, por tha se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritet komunale të Komunës së Tetovës dhe me Qeverinë e Maqedonisë për të gjetur mjete edhe një herë premtoi se mjetet do të gjenden.
“Me autoritetet lokale në Komunën e Tetovës, me kryetaren zonjën Arifi jemi në komunikim të vazhdueshëm për të gjetur mënyrë se si ti rrumbullakojmë e si të finalizohen, ta quajmë ndërtimet e këtyre dy objekteve shkollore dhe në bazë të komunikimeve, të cilat i kemi pasur edhe me zonjën Arifi dhe në bazë edhe të aktiviteteve tjera të veçanta që po ndërmerren edhe në kuadër të Qeverisë të Maqedonisë, jemi në rrugë të mbarë për të gjetur mjete. Pra, mjetet do të gjenden dhe pak e rëndësishme është se a do të gjenden në kuadër të buxhetit aktual të Ministrisë së Arsimit apo do të gjendet ndonjë model tjetër i financimit të ndërtimit të këtyre dy shkollave”, tha ministri Ademi.
Në muajin shtator, autoritetet e Komunës së Tetovës lidhur me problemin e shkollës në Sellcë, kishin theksuar se problem paraqet toka e rrëshqitshme. “Duke patur parasysh këtë situatë, ne kemi punuar në dy drejtime. E para, në bashkëpunim me Këshillin vendor, me fshatin dhe inicuesit nga vendi dhe, duke pasur parasysh kërkesat e tyre, kemi kërkuar të propozojnë ndonjë vend tjetër ku mund të bëjmë ndërtimin e një shkolle, një godine të re shkollore. Për këtë, edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës gjithmonë është treguar se fondet janë në shfrytëzim dhe mund të destinohen për ndërtimin e një godine të re shkollore, por atje përballemi me një tokë të rrëshqitshme erozive dhe analizat gjeologjike të cilat janë bërë, kanë treguar se toka është e rrëshqitshme dhe është jostabile”, kishte deklaruar kohë më parë udhëheqësi i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi. Shkolla “Naim Frashëri” është ndërtuar në vitin 1969 me një kapacitet prej 700 deri në 800 nxënës, ndërsa tani – numri i nxënësve është 1700, kurse gjysma e këtyre janë të lagjes Reçicë e Vogël. Prindërit e kësaj lagje që moti kërkojnë një shkollë, por assesi ky projekt të realizohet. Në ndërkohë, objekti ekzistues ku mësojnë nxënësit e fshatit Sellcë është ndërtuar në vitin 1952 dhe prej atëherë disa herë janë bërë renovime të vogla.
Ndryshe, kjo shkollë ka edhe dy shkolla periferike – një në Llacë dhe një në Vicë ku mësojnë mbi 550 nxënës dhe ka një kuadër prej 54 personave. Në shkollën qendrore të këtij fshati mësojnë mbi 360 nxënës. Përndryshe për më shumë se 18 vjet, objekti i shkollës fillore në fshatin Sellcë të Tetovës mbetet i papërfunduar. Punimet për ndërtimin e këtij objekti shkollor filluan në vitin 2000 dhe të njëjtat janë ndërprerë për shkak të rrëshqitjes së dheut. (koha.mk)