Laura PAPRANIKU
Shkup, 30 shtator – Protesta e studentëve të Universitetit të Tetovës në Shkup u ndërpre që të martën pasdite, por pavarësisht kësaj, nuk ka pasur ligjërata gjatë ditëve në vijim, shkruan gazeta KOHA. Të paktën, deri të premten, në asnjërin prej gjashtë programeve të disperzuara të UT-së nuk kishin nisur ligjëratat për vitin akademik 2017/2018, pasi që për të njëjtët nuk ishte përgatitur akoma orari përkatës. Viti, sipas të gjitha gjasave, pritet të nisë të hënën, më 2 tetor.
“Na kanë premtuar se këto ditë do të përgatisin orarin e ligjëratave dhe shpresojmë që deri të hënën të jetë zgjidhur edhe ky problem”, thotë Enes Sherifi, kryetar i Këshillit nismëtar kundër shpërnguljes së studimeve të disperzuara nga Shkupi në Tetovë. E rëndësishme është që studentët ia dolën të ndalin shpërnguljen e mundshme të programeve të disperzuara, kurse puna e orarit, e cila gjithashtu është mjaft e rëndësishme për mbarëvajtjen e studimeve, thotë se është çështje ditësh.
Pas sensibilizimit të problemit që kishte të bëjë me tendencën e shpërnguljes së studentëve të programeve të disperzuara në UT dhe pas reagimit të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH), UT-ja u detyrua të mbyll këtë çështje në favor të kërkesave të studentëve. Pra, të pranojë detyrimin për të organizuar studime për të gjitha grupet me mbi 20 studentë në qytetet ku edhe janë regjistruar ato studentë. Konkretisht MASH kujtoi UT-në se është detyruar të respektojë konkurset mbi bazën e të cilave janë hapur programet studimore në Shkup dhe qytete të tjera dhe menjëherë pas kësaj, UT ka dalë me njoftimi se studentët do të vijojnë të mësojnë aty ku edhe kanë filluara studimet. Në të kundërtën, UT do të bënte shkelje të ligjeve për arsim të lartë, sipas të cilave nuk mund të behet transferimi i asnjë grupi të studentëve pa dëshirën e tyre. Plus që gjashtë nga shtatë program,e te disperzuara në Shkup, kanë më tepër se 20 studentë. “Bëhet fjalë për grupe të mëdha studentësh me nga 30 deri 60 studentë”, tregon Sherifi. Vetëm një grup është detyruar të transferohet në Shkup, konkretisht grupi studentëve të filozofisë pasi ishin 13 studentë, sqaron ai.
Meqë, në dy vitet e kaluara UT nuk ka pasur konkurs për programet e disperzuara në Shkup, këtu kanë mbetur vetëm studentët e vitit të tretë dhe të katërt. Duke përjashtuar grupin e filozofisë, në hapësirat e Shkollës “Kongresi i Manastirit”, të vënë në dispozicion të studimeve, këtë viti akademik (2017/2018) do të janë programet studimore të gazetarisë, ekonomisë, administrim biznesit, juridikut dhe ekologjisë. Sherifi, nga Këshillit nismëtar kundër shpërnguljes së studimeve të disperzuara nga Shkupi në Tetovë, insiston në pohim se janë rreth 570 studentë. “Jemi shumë të sigurt se numri i studentëve është ky, pasi informacionet i kemi zyrtare, të siguruara nga administrata e UT-së”, pohon ai, duke sqaruar se këtij numri mund t’i hiqen vetëm 13 studentë e filozofisë, të cilët meqë ishin më pak se 20, janë të detyruar të shpërngulen me studimet e tyre në Tetovë. Ditë më parë, kur studentët e kishin bllokuar hyrjen në hapësirat SHF “Kongresi i Manastirit” në shenjë proteste për shpërnguljen e mundshme të tyre dhe kur një ditë para kësaj kishin dorëzuar në Rektoratin e UT-së peticionin me 422 nënshkrime, zyrtarë të UT-së hodhën dyshime mbi vërtetësinë e këtyre numrave. Prorektori për çështje arsimore, Reshat Qahili, tha se këto numra duhet të merren me rezervë, pasi, sipas tij, nuk bëhet fjalë për numër kaq të madh studentësh. Në Shkup, sipas s Qahilit, mund të jenë maksimumi 250 studentë,pasi një vit përpara në programet e disperzuara të UT-së kishte 214 studentë, sqaronte ai.
Mirëpo, këto pretendime hidhen poshtë nga Këshillit nismëtar kundër shpërnguljes së studimeve të disperzuara nga Shkupi në Tetovë, e sipas të cilit të gjithë të nënshkruarit në peticion janë studentë, ndërsa numri i saktë i atyre që kanë regjistruar semestrin dimëror të vitit akademik 2017/2018 në Shkup, është rreth 570 studentë. (koha.mk)