Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 shkurt – Laramania e programeve studimore brenda të njëjtit fakultet, jo çdoherë mundëson pajisjen më dy diploma, pra kualifikimin me dy profesione të ndryshme vetëm duke iu nënshtruar disa provimeve diferenciale, shkruan gazeta KOHA. Sipas kompetentëve të Fakultetit Filologjik “Bllazhe Koneski”, në Shkup, rikualifikimi nuk nënkupton edhe profesion të ri. Janë gjëra krejt të ndryshme të cilat burojnë nga programet e ndryshme studimore dhe silabuset e lëndëve përkatëse. Kjo është çështja që, sipas tyre, duhet ta kuptojnë të diplomuarit në programin e përkthyesve e të cilët synojnë që me pesë-gjashtë provime diferenciale të vijnë deri te diploma e pedagogëve, pra që të kenë mundësi të punësohen edhe si mësimdhënës të gjuhës dhe letërsisë përkatëse.
Një grup të diplomuarish në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup, në programin përkthyes nga gjuha shqipe në maqedonisht dhe anasjelltas, konsiderojnë se janë të pabarabartë me kolegët e tyre të programit pedagog i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Sipas tyre, këta të fundit, vetëm me një “vulë nga gjykata”, përveçse mund të punojnë si mësimdhënës nëpër shkolla, pa pasur nevojë të japin provime diferenciale, mund të punojnë edhe si përkthyes. Por, që ta fitojnë edhe ata të drejtën e mësimdhënies – është tepër e vështirë, pohon për KOHA, Sebahate Jahiu.
“Duhet të kryhet edhe një gjysmë fakultet. Gjatë katër viteve kemi studiuar si gjuhën shqipe ashtu edhe gjuhën maqedonase. Është vërtetë e pakuptimtë që të detyrohemi japim nga 12 provime edhe atë që regjistrohemi edhe njëherë, nga e para në fakultetin ku kemi studiuar”, vëren Nuhiu. Sipas saj, problemi qëndron se shumë provime që janë marrë në programin e përkthyesve nuk u njihen si ekuivalente në programin e pedagogëve. “Jemi në situatë kur fakulteti nuk i njeh provimet e veta”, shprehet ajo. Për të alarmuar këtë problem, javën e kaluar grupi i përkthyesve iu drejtua Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH) por u kthyen që atje pa marrë asnjë e përgjigje për dilemat.
“As në MASH nuk u gjend dikush të na japë sqarime për këtë situatë. Na sugjeruan që problemin ta zgjidhim me kuadër të fakultetit”, sqaron më tej Nuhiu. Sakaq, e kontaktuar nga KOHA, shefja e Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe, Valbona Toska, thotë se dilema të këtilla nuk janë problem vetëm për këtë Katedër. “Janë çështja të cilat diskutohen në nivel të fakultetit dhe universitetit, mbase edhe më gjerë. Kur një kandidat i nënshtrohet rikualifikimit brenda të njëjtit profesion – ata mund të japin provime diferenciale. Por kur kemi të bëjmë me dy profesione, si në rastin konkret me përkthyes dhe pedagogë të gjuhës dhe letërsisë, gjërat ndryshojnë. Duhet që kandidatët të bëjnë regjistrimin në programin e ri studimor dhe pas kësaj, ti nënshtrohen procesit të njohjes së provimeve nga programi i parë studimor”, pohon Toska. Meqë bëhet fjalë për programe të ndryshme studimore, pra për kualifikime të reja, sipas saj, është e kuptueshme që të ketë shumë më tepër se 5-6 provime diferenciale. “Problemi me përkthyesit nga fakulteti jonë (e, jo vetëm), është se ata duan të vijnë te diploma e dytë duke dhënë vetëm disa provime diferenciale, pra vetëm të lëndëve që nuk i kanë kaluar si përkthyes. Kjo nuk është e mundur”, shprehet ajo. Sepse, edhe të disa lëndë të tjera, që ata i kanë marrë si përkthyes kanë dallime në silabusuet e lëndëve, pra në qasjen, fondin e orëve dhe shkallën e thellimit të studimeve të asaj lënde.
“Për shembull, ndryshe punohet sintaksa me grupin e përkthyesve dhe ndryshe me grupin e pedagogëve”, sqaron Toska, e cila është edhe ligjëruese e lëndës së Sintaksës dhe disa gramatikave në katedrën e shqipes në Shkup. Përveç kësaj, janë disa lëndë si dialektologjia, didaktikat, metodikat, psikologjia, pedagogjia, teoria e letërsisë dhe të tjera, të cilat përkthyesit nuk i kanë pasur fare në programin e tyre të studimeve. Të gjitha këto lëndë, thotë se duhet të jepen që kandidati të mund të vjen deri te një kualifikim i ri. Çështja e vulës së përkthyesve, të cilën mund ta marrin pedagogët e gjuhës dhe letërsisë, është diçka tjetër. Vetë shkalla e kualifikimit tregon për këtë, pra bëhet fjalë për vulë të cilën e jep gjykata dhe jo për diplomë që merret në universitet. (koha.mk)