Evis HALILI
Shkup, 21 shkurt – Emërimet në postet drejtuese në institucionet e kulturës do të shtyhen sërish. Shumë ushtrues detyre do të vazhdojnë të mbajnë po ato pozicione deri në ndryshimin e statusit të institucionit, që duhet të harmonizohet me ndryshimet ligjore të miratuara një javë më parë nga Parlamenti, shkruan gazeta KOHA. Po ashtu, partnerët e koalicionit ende nuk e kanë vendosur se cilat drejtori do të udhëhiqen nga kuadro shqiptarë. Në Ministrinë e Kulturës nuk kanë ndonjë informacion për numrin e drejtorive tek të cilat synohet të emërohen kuadro shqiptarë. Si institucione më kryesore që aktualisht drejtohen nga kuadro shqiptarë janë Qendra Nacionale e Konservimit, Galeria Nacionale, Galeria e Tetovës, Qendra e Konservimit në Gostivar, e të tjera. Kësaj liste mund t’i shtohet Muzeu Arkeologjik, ndërsa për drejtori të tjera, si Qendra memoriale e Nënë Terezës, Teatri i fëmijëve dhe të rriturve që është pretenduar në vite se do të drejtohen nga shqiptarë duket se kanë dalë nga lista.
Në Ministrinë e Kulturës vonesat në shpalljen e konkurseve i arsyetojnë me ndryshimet e kritereve të konkurrimit. Sipas tyre, pjesa më e madhe e institucioneve, mbi 60, do të vazhdojnë të funksionojnë me drejtorët aktualë, ose me të tjerë, në rastin e skadimit të mandateve.
“Konkurset do të shpallen atëherë kur edhe çdo institucion do të ndryshojë statusin, i cili duhet të jetë në përputhje me ndryshimet e bëra në Ligjin për Kulturë dhe kriteret e reja për emërimet. Deri sa të bëhet ky proces drejtorët aktualë do të vazhdojnë të jenë në ato poste, në rast se skadojnë mandatet, do të emërohen të rinj, ose atyre aktualë do t’i zgjaten mandatet”, thotë këshilltari i ministrit të Kulturës, Petrit Saraçini. Një prej institucioneve që i ka adaptuar ndryshimet ligjore është Drejtoria e Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore, e cila ka shpallur konkurs për emërimin e një drejtori të ri (drejtohet nga ushtrues detyre). Shumë institucione kryesore të kulturës që prej shkarkimeve të disa kohëve më parë prej më shumë se gjashtë muaj udhëhiqen nga ushtrues detyre, mes të cilëve ka edhe nga ato që kanë dhënë dorëheqje, siç ishte rasti i drejtorit (ushtrues detyre) i Teatrit Nacional, Dragan Spasov, dorëheqja e të cilit një ditë më parë u miratua nga Ministria e Kulturës.
Sa i takon drejtorëve shqiptarë në institucione si Galeria Nacionale, Qendra Nacionale e Konservimit, Teatri Shqiptar, Galeria e Tetovës nuk janë paralajmëruar ndryshime dhe gjasat janë që këto poste të vazhdojnë t’i mbajnë kuadrot e njëjtë.
Fillimisht konkurset për emërimin e drejtuesve të rinj u shtynë për shkak të ciklit të zgjedhjeve lokale. Ndërsa shkarkimet nga postet e drejtorëve nisën në muajin korrik, të parët u shkarkuan drejtorët e Teatrit të Komedisë, Teatrit të fëmijëve, Muzeut të Maqedonisë, e të tjerë. Po ashtu, emërime të reja priten edhe në drejtori të tjera, si Mbrëmjet e poetike të Strugës, Vera e Ohrit. (koha.mk)