Laura PAPRANIKU
Shkup, 12 qershor – Sistemit arsimor në Maqedoni i duhen reforma rrënjësore në gjithë vertikalen dhe horizontalen e tij, i duhen ndryshime të menduara mirë, vendime të pranueshme nga të gjithë dhe intervenime që do të shpijnë drejtë rritjes së cilësisë në të gjitha nivelet e shkollimit. Kështu vlerësojnë ekspertët e arsimit, të cilët megjithëse mbështesin anulimin e testimit ekstren të nxënësve dhe paralajmërimet për largimin e librave të Kembrixhit, meqë i kanë kundërshtuar hapur politikat populiste në arsim, paralajmërojnë ministren e re të Arsimit, Renata Deskovskën, që të mos bie edhe ajo pre e vendimeve me efekte populiste, shkruan gazeta KOHA. Veprimet vetëm për duartrokitje, apo të udhëhequra nga logjikat e politikave euforike, janë thikë me dy tehe, konsideron profesori universitar Hasan Jashari.
Edhe prof. dr. Shefqet Zekolli, thotë se kur merren vendime të shpejtuara, çdo herë ekziston rreziku që prej një gabimi të kalohet në një gabim tjetër, prandaj duhet bërë shumë kujdes. Megjithatë, profesori tjetër universitar, Avzi Musfata, thotë se në raste të caktuara, si ky i Maqedonisë, kur eksternia u ishte “bezdisur” deri edhe vetë ministrave, duhet të inkurajohen edhe sjelljet e vendimeve të shpejta – për hir të situatës.
KUJDES NGA POLITIKAT EUFORIKE
“Në Maqedoni, fatkeqësisht bëhen politika të logjikave ‘urraaaaa’, siç kishim rastin e testimit ekstern apo librave të Kembrixhit. Druaj se edhe tani, bëhet gabim që në mënyrë të përshpejtuar sillen vendime për revidimin e shpejtë të atyre programeve. Pra, masave të përshpejtuara të së kaluarës po i përgjigjemi me masa gjithashtu të përshpejtuara dhe kjo mund të shpie në gabime të reja”, deklaron Jashari, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Prandaj, sipas tij, është shumë rëndësishme që mos harrohet se “krijimi i politikave publike është një sferë mjaft e ndjeshme që kërkon analiza të detajuara nga njerëz kompetent dhe për të cilat duhet marrë paraprakisht edhe mendimi i ekspertëve të fushës”, sikurse shprehet ai. Jashari, i cili ka qenë edhe zëvendësministër i Arsimit, vlerëson si pozitive paralajmërimet e ministres Deskovska, për largimin e orëve të tepërta të mësimit, zvogëlimin e numrit të nxënësve në klasë pasi kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë do të rritën cilësinë e shkollimit.
“Bazë e filozofisë amerikane arsimore është përcaktimi se shkollën e mirë e bëjnë arsimtarët e mirë, ndërsa në kontestin tonë mendoj se nuk mund të ketë cilësi të mirëfilltë në arsim pa investimin duhur në zhvillimin profesional të arsimtarëve, edhe atë duke filluar nga rrogat”, thotë për KOHA, Jashari. Rroga minimale e arsimtarëve, sipas tij, duhet të jetë 35.000 denarë, nëse dëshirojmë të presim prej tyre përkushtim të vërtetë profesionale. Përmirësimi i kushteve të shkollave, sipas tij, është gjithashtu një çështje që kërkon zgjidhje imediate, pasi kemi një pabarazi ekstreme ne mes shkollave që janë të pasura dhe atyre që punojnë si në kohërat e mesjetës. Vetëm me investimin në përmirësimin kushteve dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve, sipas tij, mund të arrihet përmirësimi i cilësisë në arsim.
CILËSIA, AUTONOMIA, DEPOLITIZMI….
“U bë shumë mirë që u ndërpre testimi ekstern i nxënësve, pasi ishte një ‘reformë’, e cila jo vetëm që nuk i shpërbente askujt, por i rëndonte të gjithë: nxënësit, mësimdhënësit, shkollat, prindërit, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Është për t’u mbështetur ky vendim, njëlloj sikurse edhe paralajmërimi për largimin librave të Kembrixhit”, shprehet Mustafa, që deri vitin e shkuar ishte pedagog në Universitetin “Kirili dhe Metodi”. Ai pret nga ministrja Deskovska që të intervenojë në të gjitha hallakat e sistemit, prej te sistemi i arsimit parashkollor deri te universitetet. Por, për të gjitha hapat duhet që të bëhen konsultime me ekspertet dhe klasën akademike.
“Duhet fillimisht të kthehet autonomia e universiteteve, të gjendet formula më e përshtatshëm e financimit të arsimit të lartë, dhe të mos veprohet si në të kaluarën që për llogari të politikave populiste, të shtohen kuotat e kuotat e regjistrimit të studentëve nëpër universitet”, shprehet profesor Mustafa. Që MASH të mos zhgënjejë me largimin e ekstremes dhe librat e Kembrixhit, sipas tij, duhet të ndërmerren hapa për rritjen e cilësisë dhe për zëvendësimin e të gjitha librave jo cilësor me libra cilësor. Duhet që përpilimi i librave të lihet në duart e profesionistëve, shtëpive të specializuara botuese dhe që të ritet cilësia nevojitet krijimi i kushteve për konkurrencë të ndershme.
Shefqet Zekolli, profesor në Universitetin e Tetovës, gjithashtu konsideron se është mirë që u largua eksternia dhe që kjo pritet të ndodhë edhe më librat e Kembrixhit. Mirëpo, çdo herë ekziston rreziku që prej një gabimi të kalohet në një gabim tjetër, vëren ai. “Eskternia dhe Kembrixhi ishin probleme që kërkonin zgjidhje imediate, pasi në emër të reformave u sollën nga disa ministra radhazi duke dashur të lënë vulën e tyre në MASH. Si të tilla, ata jo vetëm që u sollën në mënyrë të përshpejtuar dhe të pa konsultuar me ekspertet dhe vetëm mësimdhënësit e shkollave, por e ngarkuan jashtë mase sistemin edhe ashtu të ngatërruar të arsimit në Maqedoni, shpjegon për KOHA Zekolli, ish-drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë. Prandaj, plotëson më tej ai, mendoj se duhet bërë kujdes që të mos shkohet në gabimet e radhës, duke dashur të sillen ndryshime pozitive në sistemin arsimor në Maqedoni mund të merren modele të suksesshme të shteteve tjera, por të cilat vështirë konvertohen në kushtet dhe rrethanat tona. Ky është kurthi, në të cilin sipas Zekollit, kanë rënë vazhdimisht reformat arsimore në Maqedoni.
Doajeni i arsimit shqip në Maqedoni, Tahir Zajazi, thotë se krijimi i politikave arsimore duhet të drejtohet kah filozofia arsimore, sepse vetëm kjo, sipas tij, mund ta shpëtojë sistemin tonë arsimor dhe mund të drejtojë gjenerata e reja drejt përparimit dhe zhvillimit. Por, që të ndodh kjo, sipas tij, duhet të reformohen në mënyrë urgjente programet, kurrikulat dhe metodologjitë e mësimdhënies. “Duhen dyshime rrënjësore. Cilësia në mësimdhënie, krijimi i kushteve për arsim bashkëkohor, duhet të jenë në themel të këtyre ndryshimeve, të cilat duhet të rezultojnë fillimisht me prodhimin e kuadrit profesional. Por, që të priten ndryshimet e nevojshme duhet të niset nga universitete, sepse këtu krijohen kuadrot e nevojshme”, vëren Zajazi. Sipas tij, universitet duhet të janë burimi dijes dhe shkencës dhe jo vendi për punësimin e aktivistëve të partive politike, pasi politizimi do të shtrijë rrënjë më tej në të gjitha nivelet, sikundër edhe ka ndodhur në Maqedoni tani e një kohë të gjatë. Depolitizomi i institucioneve arsimore, thotë profesor Zajazi, është një tjetër sfide për ministren e re të arsimit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara