Me Leo Messin dhe Cristiano Ronaldon jashtë Botërorit, të gjithë i kanë sytë nga Neymar. 26-vjeçari ka shansin të jetë ai protagonisti i Botërorit në Rusi, madje, një triumf i mundshëm do ta shndërronte në kandidat potencial për të fituar Topin e Artë 2018. Me Brazilin që është kualifikuar në çerekfinale, Neymar ka ditur të lërë shenjën e tij. Edhe pse nuk ka shkëlqyer në lojë, sulmuesi i Paris Saint Germain ka shënuar dhe ishte pikërisht ai që theu murin mbrojtës të Meksikës. Por, ajo ku ylli i Seleçaos stonon është pjesa e sjelljes në fushë. Edhe pse statistikat tregojnë se ai është lojtari ndaj të cilit janë shkaktuar më tepër ndërhyrje në Kupën e Botës, ato që nuk pëlqehen janë veprimet e Neymar në momentin kur ndodhet në tokë. Rrotullime të panumërta, të cilat i bëjnë deri diku të pabesueshme ndërhyrjet. Për këtë arsye sulmuesi është akuzuar rregullisht nga kundërshtarët, ndërsa vazhdon të tallet nga tifozët, sipas të cilëve “Nejmar është një futbollist i mirë, por si aktor është edhe më i mirë”. Vetëm pak ditë më parë, legjenda Erik Kantona e talli jo vetëm për modelin e flokëve, por edhe për rrotullimet, duke e krahasuar me një valixhe dore. Prej vitesh Nejmar është cilësuar pasardhësi i Mesit dhe Ronaldos, si lojtari më i mirë i kësaj periudhe. Por, që të dalë nga hija e dyshes që ka dominuar dekadën e fundit të futbollit, braziliani nuk ka vetëm detyrën të konfirmohet në fushë, por duhet të marrë shembull edhe nga sjellja e tyre gjatë lojës.