Sjellja e nxënësve ndryshon mesataren e notave

Varësisht sjelljes që kanë treguar në arsimin fillor, nxënësit do të kenë edhe pikët përkatëse të cilat do të merren në konsideratë gjatë nxjerrjes së mesatares së përgjithshme për regjistrim në shkollat e mesme. Sjellja mund t’ju sigurojë atyre maksimumi 5 pikë dhe minimumi zero pikë

Laura PAPRANIKU

Shkup, 17 qershor – Të vijosh shkollimin nga niveli i arsimit fillor nëntëvjeçar në nivelin e arsimit të mesëm, nuk mjafton vetëm suksesi i mirë i notave. Pesëshet në dëftesa padyshim që sigurojnë pozita të larta në listat e nxënësve kandidatë për regjistrimin në shkollat e mesme, mirëpo paralelisht suksesit në mësime në nxjerrjen e notës mesatare, që u llogaritet nxënësve për regjistrim në shkollat e mesme, ndikon edhe sjellja që kanë treguar nxënësit në arsimin paraprak, shkruan gazeta KOHA.

Pra, varësisht sjelljes që kanë treguar në arsimin fillor, ata do të kenë edhe pikët përkatëse të cilat do të merren në konsideratë gjatë nxjerrjes së mesatares së përgjithshme dhe që mund t’ju sigurojë atyre maksimumi 5 pikë dhe minimumi zero pikë.

Në leximin e suksesit të nxënësve, në ciklin e lartë të arsimit nëntëvjeçar (nga klasa e gjashtë deri të nëntën) për sjellje shembullore nxënësit do të vlerësohen me 5 pikë, për sjellje të mirë me 3 pikë dhe për sjellje të pakënaqshme me 0 pikë. Vlera mesatare e pikëve për sjelljen, në të vërtetë paraqet shumën e pikëve të sjelljes në klasë VI, VII, VIII dhe IX e pjesëtuar me 4, kurse e njëjta i shtohet vlerës mesatare të notave nga suksesi i përgjithshëm dhe suksesi i notave të katër lëndëve të rëndësishme, për të cilat mund të fitohet maksimalisht 50 pikë, gjegjësisht 20 pikë.

Kështu, për notën mesatare të katër lëndëve të rëndësishme (dy të obligueshme për të gjitha llojet e arsimit dhe dy të tjera që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me drejtimin e zgjedhur) kandidatët për regjistrim në shkollë të mesme vlerësohen maksimalisht me nga 5 pikë për secilën lëndë, do të thotë 20 pikë gjithsej.

Sa i përket vlerës mesatare të notave nga suksesi i përgjithshëm, nxënësit mund të fitojnë maksimalisht 50 pikë me atë që suksesi i përgjithshëm i notave nga klasa VI, VII, VIII dhe IX mblidhet, ndahet në katër – në fund ky numër shumëzohet me koeficientin 10.

Pikë, edhe atë maksimumi 5 pikë, nxënësit do të mund të sigurojnë nga pjesëmarrja në gara. Për tre vende të para në gara ndërkombëtare, nxënësit i llogariten 5 pikë, për vend të parë në gara shtetërore 3 pikë, për vend të dytë 2 pikë dhe për vend të tretë – 1 pikë.

Pra, sipas vlerës mesatare të pikëve të mundshme në të gjitha këto kategori vlerësimi, nxënësit mund të fitojnë maksimalisht 80 pikë, ndërsa për regjistrim në shkollë të mesme minimumi i pikëve të kërkuar është nga 30 pikë (për drejtime si saldator, bukëpjekës apo shitës) deri në minimumi 70 pikë për drejtime si motër medicinave, teknik dhëmbësh apo laborant teknik.

Dorëzimi i dokumenteve për regjistrim në shkollat e mesme do të realizohet në dy afate, atë të qershorit me dy paraqitje dhe në afatin e gushtit.

Paraqitja e parë e qershorit do të nis me dorëzimin e dokumenteve më 18 dhe 19 qershor, për të vijuar me paraqitjen e dokumenteve më 28 qershor në shkollat ku ka vende të lira. Ndërkaq, paraqitja e dokumenteve për afatin e gushtit do të do të jetë datë 23 të atij muaji. Në shkollat ku do të ketë më tepër kandidatë me pikë të barabarta sesa numri i vendeve të shënuara me Konkurs, nxënësit do ti nënshtrohen testimit kualifikues, rezultatet e të cilëve do të publikohen të nesërmen e testim në vende të dukshme të shkollave përkatëse. (koha.mk)

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com