Nga Vedat MEMEDALIU
Muzeu i Alfabetit edhe këtë vit, në përvjetorin e 109-të të saj, ishte si mos më keq. Pllakat sanitare në dyqanin privat të një tregtari maqedonas, në katin e parë të muzeut, sërish pritën shqiptarët që vizituan të mërkurën këtë muze. Dhe, sikurse viteve tjera, deklaratat e zyrtarëve shqiptarë të Qeverisë ishin se “sivjet, është pak më mirë”. Vetëm kaq: “sivjet, pak më mirë”!
Muzeu i Alfabetit, aty ku dikur më shumë se gjysma e banorëve ishin shqiptarë, përmendet vetëm kur ofrohet nëntori – i njohur ndryshe si muaji i historisë shqiptare.
Edhe pse tashmë objekti në fjalë është muze shtetëror dhe nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës, i njëjti nuk do të financohet me mjete shtetërore. Pak denarë dhe më shumë IPA Fonde, zyrtarët shqiptarë të Qeverisë në Shkup nuk treguan, së paku deri tani, këmbëngulësinë që pllakat sanitare t’i flakin tutje Shtëpisë së Alfabetit. Jo të meremetohet i tëri! Sepse, këtë të fundit nuk e bëjnë dot.
Paaftësi dhe neglizhencë nuk tregojnë vetëm shqiptarët e Qeverisë së Maqedonisë. Për Muzeun e Alfabetit hesht edhe Shqipëria, edhe Kosova. Mjaftohen që, edhe atë rrallë ndonjë zyrtarë i Kosovës apo Shqipërisë, të thotë ca premtime më 22 nëntor dhe kaq. Vetëm kaq, sikurse tanët që thonë “sivjet pak më mirë”.
Mjafton të kujtojmë takimin e famshëm të dy viteve më parë të tre ministrave shqiptarë të Arsimit- Abdilaqim Ademi i Maqedonisë, Arsim Bajrami i Kosovës dhe Lindita Nikolla e Shqipërisë, në Muzeun e Alfabetit në Manastir, e ku firmosën marrëveshjen për restaurimin e muzeut nga Instituti i Monumenteve të Shqipërisë. Kosova mori përsipër ndarjen e një shume simbolike, derisa Maqedonia u zotua për heqjen e dyqanit me pllakat sanitare.
“Instituti i monumenteve të kulturës në Shqipëri, këto ditë ka hartuar projektin e restaurimit të këtij objekti mbi bazën e kritereve shkencore, duke ruajtur autenticitetin e vet objektit dhe njëkohësisht duke i dhënë edhe vlerat që meriton ky objekt”, u pat shprehur ministrja e Arsimit e Shqipërisë. Marrëveshje, përveç restaurimit të objektit të muzeut, u pat firmosur edhe për bashkëpunim tre shtetesh në arsim… Dhe, asnjëri premtim nuk u realizua. U harru sapo mbaroi data 22 nëntor.
Njëjtë sikurse pardje, për darkën pas 22 nëntorit, nga Muzeu i Alfabetit drejt në hotel “Epinal”, në Manastir. Për darkën de, festa mbaroi… deri në mot!