“Shëndet për të gjithë”, që nënkupton popullatë të shëndetshme në mjedis jetësor të shëndetshëm dhe të sigurt, sistem shëndetësor të qëndrueshëm dhe siguri nga rreziqet globale dhe lokale ndaj shëndetit publik – është qëllimi kryesor që drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, doc.dr. Shaban Memeti ia ka caktuar vetes gjatë kohës së pandemisë Covid-19. Në një intervistë ekskluzive për gazetën KOHA, Memeti thotë se kujdesi mjekësor preventiv, gjegjësisht mjeti bazë në menaxhimin e çështjeve prioritare dhe marrjen e vendimeve përkatëse në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal, ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet kryesore i ISHP-së
Bisedoi: Zenel MIFTARI
Zbatimi i Strategjisë kombëtare për veprimtari preventive mjekësore, konkretisht mbrojtja e shëndetit të popullatës në Maqedoninë e Veriut në kohë të pandemisë Covid- 19, është sfida kryesore e institucioneve shëndetësore në vend. Kësaj sfide me shumë sukses po i përgjigjet edhe Instituti i Shëndet Publik (ISHP), e quajtur ndryshe edhe “lidhja kryesore” e zinxhirit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut. Drejtori i ISHP-së, doc.dr. Shaban Memeti, në një intervistë për gazetën KOHA tregon se institucioni që ai drejton plotësisht i është përkushtuar sanimit të dëmeve që po sjell pandemia, ndërsa po zbatohen në tërësi standardet globale lidhur me mbrojtjen nga virusi që kaploi gjithë botën. Njëherësh, ai falënderon punonjësit e ISHP-së për angazhimin dhe përpjekjet maksimale, entuziazmin dhe profesionalizmin në ballafaqimin me pandeminë, ndërsa thekson se kjo do të vazhdojë deri në zhdukjen e tërësishme të virusit, kuptohet me anë të vaksinave tashmë të paralajmëruar edhe për vendin tonë.
KOHA: Z. Memeti, megjithëse gjatë tërë vitit që lamë pas kemi patur mundësi të ndeshemi me studime të ndryshme rreth virusit Covid-19, mund të na thoni shkurt për historinë e këtij virusi që tmerroi botën?
MEMETI: Infeksioni me virusin Corona-19 (SARS COVID 2) për shkak të karakteristikave dhe ndikimit të tij epidemiologjik, mikrobiologjik, social, mjekësor dhe ekonomik, paraqet një problem shumë të rëndësishëm dhe aktual në vendin tonë dhe në botë. Infeksioni me virusin Corona dhe sëmundja lidhen me zbatimin e një diagnostikimi mikrobiologjik të një cilësie shumë të lartë, mbikëqyrjen aktive epidemiologjike, trajtimin dhe masat në lidhje me zbatimin e vetë-izolimit dhe karantinimit të popullatës, orës policore dhe gjendjes së jashtëzakonshme, të cilat për herë të parë po zbatohen në shumë vende dhe që çrregullojnë shumë rëndë funksionimin normal të jetës. Numri tepër i madh i të sëmurëve dhe të vdekurve ka rënduar shumë sistemin shëndetësor në botë, i ka sjellë punonjësit shëndetësorë në kufijtë e aftësive të tyre punuese dhe ka shumëfishuar kostot financiare për mjekimin e të sëmurëve. Në industrinë farmaceutike po bëhen studime të kontrolluara për të gjetur dhe licencuar një vaksinë adekuate. Kjo sëmundje me të drejtë mund të quhet një nga epidemitë më të mëdha në shekullin 21.
KOHA: U tha se virusi Covid-19 për herë të parë u paraqit në qytetin Vuhan të Kinës, ndërsa në Maqedoni u regjistrua në shkurt të vitit 2020. Por, si filloi pandemia me Covid-19?
MEMETI: Në dhjetor të vitit 2019, u zbulua një koronavirus i ri (COVID-19, nomenklatura e re SARS COVID2) tek tre pacientë me shenja klinike të pneumonisë lidhur me sëmundje akute të frymëmarrjes, në Vuhan, Kinë. Në 4-5 muajt e parë të vitit 2020 në shumë vende të botës, regjistrohet një përhapje lokale e vazhdueshme e virusit në mesin e popullatës. Më 10 mars të vitit 2020, OBSH shpalli pandemi të infeksionit COVID-19 në mbarë botën. Tek ne në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për herë të parë u shfaq tek udhëtarët të cilët erdhën nga rajonet e prekura me COVID-19 nga Italia veriore (Lombardia dhe Veneto). Rasti i parë me COVID-19 tek ne është regjistruar në 26.02.2020, ndërkohë që rasti i parë i vdekjes në 21.03.2020.
KOHA: Mund të na shpjegoni se si izolohet Covid-19 dhe cila është koha e inkubimit?
MEMETI: Virusi Corona 19 u izolua në lëngun bronkoalveolar me lavash bronkial, dhe më pas ARN virusale u zbulua në strishot nazofaringeale, strishot nga fyti, në serum, gjak, strisho rektale, pështymë, urinë dhe jashtëqitje. Sipas vlerësimeve aktuale periudha e inkubacionit për COVID-19 zgjat nga 5 deri më 6 ditë (mesatarisht 5,7 ditë), me një shtrirje deri më 14 ditë.
KOHA: Në fillim u tha se janë pesë simptoma kryesore që kanë të bëjnë me virusin Covid-19, ndërkohë që më vonë, ndryshuan të njëjtat. Mund të na thoni se cilat janë simptomat klinike aktuale që lidhen me këtë virus të tmerrshëm?
MEMETI: Sipas përvojave dhe njohurive më të reja nga institucionet më të rëndësishme botërore, sëmundja manifestohet përmes 17 simptomave të ndryshme, ndërsa çdo pacient manifeston mesatarisht shtatë simptoma të cilat, sipas hulumtimit të realizuar nga Qendra për kontrollimin e sëmundjeve (CDC), i zgjasin rreth 12 ditë. Sipas studimit të tyre, manifestime më të shpeshta të sëmundjes janë ethet, temperatura e lartë e trupit, plogështia, dhimbja e kokës dhe vështirësitë në frymëmarrje. Simptoma të tjera që manifestohen janë kolla e thatë dhe irrituese, dispnea, plogështia, dhimbjet e muskujve dhe lodhja. Si simptoma më të rralla janë diarreja dhe të vjellat.
KOHA: Si është situata aktuale epidemiologjike në vend?
MEMETI: Deri tani, në vendin tonë janë bërë gjithsej 394.329 teste, pra numri i përgjithshëm i testeve të kryera në 1 milion banorë është 197.164 teste. Në vendin tonë, numër më i madh i të prekurve nga COVID -19 është regjistruar në Shkup me 35.281 raste, 761 raste të vdekjes dhe 23.255 të shëruar. Në Tetovë ka gjithsej 4709 raste, 181 persona e kanë humbur jetën si pasojë e kësaj sëmundjeje, ndërsa 3650 janë shëruar. Në Kumanovë gjithsej 4667 raste, 171 raste të vdekjes dhe 3947 të shëruar. Në Prilep gjithsej 4143 raste, 210 raste të vdekjes dhe 3324 të shëruar, pastaj vijon Gostivari me gjithsej 3341 raste, 142 raste të vdekjes dhe 2620 të shëruar.
KOHA: Si është gjendja aktuale me COVID-19 në botë?
MEMETI: Vlerësimet e OBSH-së në rrafsh global dhe në nivel të Rajonit Evropian për përhapje të mëtejshme të COVID- 19 tregojnë se rreziku është i madh. Sipas kategorizimit të rrezikut, vlerësohet se Republika e Maqedonisë së Veriut është në fazën 4 (përhapje e gjerë e virusit në komunitet). Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga OBSH-ja, deri më datën 20.12.2020 në mbarë botën janë konfirmuar gjithsej 75.129.306 raste me COVID-19, ndërkohë që numri i të vdekurve si pasojë e COVID -19 ka arritur në 1.680.794 njerëz. Sipas këtyre të dhënave, si rajone më të prekura janë Amerika me gjithsej 32.437.597 raste të konfirmuara dhe 809.105 raste të vdekjes, Evropa me gjithsej 23.691.857 raste të konfirmuara dhe 522.719 raste të vdekjes dhe rajoni i Azisë juglindore me 11.610.444 raste të konfirmuara dhe 176.826 raste të vdekjes.
KOHA: Z. Memeti, mund të na shpjegoni se si ka qenë gjendja me COVID 19 në këto dy javët e fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut?
MEMETI: Incidenca e rasteve me COVID 19 ka rënë për 16% krahasuar me 14 ditët paraprake. Për dallim nga java e kaluar, numri i vdekjeve ka rënë për 17%. Sa i përket grupmoshave, në këtë periudhë më të prekur janë personat që i përkasin grupmoshës nga 30-39 vjet. Në vend po zbatohen masa të reja për parandalim. Situata epidemiologjike në vend vlerësohet si jo stabile, por nën kontroll, me një përhapje të gjerë të COVID 19 në të gjithë vendin. Për shkak të plotësimit të të gjitha kapaciteteve spitalore, janë ngritur Qendra për COVID për të mundësuar pranimin e një numri më të madh të pacientëve.
KOHA: Parashikimet tuaja për fillimin e vaksinimit?
MEMETI: Ministria e Shëndetësisë përmes sistemit Covax do të sigurojë rreth 800.000 doza të vaksinës nga më shumë prodhues, dhe atë Phizer dhe BioNtech, Astra Zeneca, dhe eventualisht edhe nga prodhues të tjerë dhe do aplikohen tek kategori të caktuara të qytetareve, si punonjësit shëndetësor në COVID sistemin, të moshuarit mbi 65 vjet, personat me sëmundje kronike dhe komorbiditete, dhe institucione publike të caktuara (Qeveria, Kuvendi, MPB, ushtria, etj).