Shkup, 29 maj – Situatë e tensionuar në sallën gjyqësore ku po vazhdon gjykimi i të akuzuarve në rastin e Kumanovës. Të akuzuarit njëzëri janë ngritur në këmbë ndërsa kanë akuzuar Trupin gjykues për mos marrje parasysh të dëshmive dhe dëshmitarëve të palës mbrojtëse, ndërsa kanë thënë se nuk e pranojnë drejtësinë e këtij Trupi gjykues. Me këtë rast, gazetari i gazetës KOHA raporton se, edhe pse ka kërkuar mirëkuptim dhe ka tentuar të qetësojë situatën, kryetarja e Trupit gjykues nuk ka arritur t’i bind të akuzuarit për vazhdim normal të seancës. “Nuk i keni pranuar dëshmitarët që ne i kemi propozuar, sidomos ata politikanë që kanë qenë në listën e dëshmitarëve të palës mbrojtëse. Për këtë arsye, ne nuk pranojmë që të vazhdojë seanca”, kanë thënë të akuzuarit. Gjykatësja është detyruar të jap pauzë, ndërsa ka kërcënuar avokatët mbrojtës se, siç ka thënë ajo, nëse nuk i qetëson të akuzuarit, do të dënohen me 40 mijë euro, aq sa janë shpenzimet e një seance gjyqësore. Të akuzuarit janë nxjerrë jashtë sallës, ndërsa në vazhdim pritet të merret vendim nëse do të vazhdojë ose jo seanca. (koha.mk)