Ka vazhduar edhe në ditën e 4 bllokada e rrugëve kryesore në Jarinjë dhe Bërnjak. Protestuesit kanë vendosur barrikada edhe me zhavorr. Kamionët mbeten në mes të rrugës, banorët serbë qëndrojnë anash saj në tenda, njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës janë aty për të monitoruar situatën.
Nuk ka incidente, përveç provokimeve të herëpashershme me thirrje e këngë nacionaliste nga serbët lokalë.
Bashkësia ndërkombëtare vazhdon apelet se veprimet e njëanshme bartin rrezikun e përshkallëzimit dhe duhen të shmangen në interes të paqes. U apelon politikanëve të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur tensionet përmes dialogut. Por, dialogu rrezikohet.
Serbia ka 4 kushte për Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare për t’u kthyer në dialog. Bashkimi Evropian të tregojë nëse vijon të jetë në fuqi apo jo marrëveshja e Brukselit, policët e armatosur të tërhiqen nga veriu, vendimi kundër Ivan Todosijeviqit të anulohet dhe që të jepen licenca për dy kompanitë serbe të energjisë elektrike.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vetëm një kusht për ta hequr masën për të mos i lejuar të hyjnë në Kosovë automjetet me targa serbe. Ai është i gatshëm që ta heqë masën e reciprocitet për targat në rast se edhe Serbia zotohet se do ta bëjë të njëjtën kundrejt Kosovës.