Mançester Siti para një jave mori një leksion futbolli nga Liverpuli në duelin e parë çerekfinal të Ligës së Kampioneve, ku u mund me shifrat 3-0. Derisa, sot (e martë) të përzgjedhurit e trajnerit Pep Guardiola do të tentojnë të përmbysin këtë epërsi dhe shpresojnë që do të jenë ata të cilët do të plasohen në gjysmëfinale. Te Siti besojnë se mund të kualifikohen dhe këtë do ta provojnë në 90-minutat që ju kanë mbetur. Pra, me atë që ka treguar kjo skuadër këtë sezon, është optimiste se mund të arrijë një përmbysje të çmendur në “Etihad”. Dhe ai që i kishte lëshuar sfidën Mohamed Salahut për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit në Angli, por e humbi duelin në “Anfield”, ka ende besim. Kevin De Brune pranon se “qytetarëve” do t’u duhet diçka magjike të martën në shtëpi për t’ia dalë, por ai është optimist. “Mendoj se e nisëm mirë, por ata patën katër shanse dhe shënuan tre gola, kështu që u bë e vështirë. Por ne krijuam shumë më pas dhe luajtëm mirë. Nuk i dihet kurrë, është futboll”, tha belgu. “Unë kam besim te skuadra jonë dhe mënyra sesi luajmë futboll. Nëse duam që të kualifikohemi në gjysmëfinale, atëherë na duhet diçka speciale. Por në mes janë 90 minuta dhe nuk janë pak. Gjatë kësaj kohe mund të ndodhë gjithçka. Megjithatë, favoritët e mëdhenj tani janë ata. Tani duhet të pushojmë, sepse të shtunën kemi një ndeshje shumë të rëndësishme”, deklaroi De Brune.
Në anën tjetër, futbollistët e Liverpulit pavarësisht epërsisë së madhe që e kanë, thonë se në “Etihad” nuk shkojnë për t’u mbrojtur, por do të mundohen të përsërisin fitoren 3-0 të ndeshjes së parë. Kështu mendon edhe mbrojtësi Van Dijk, sipas të cilit ekipi i tij do të sulmojë edhe në “Etihad”. “Kemi diskutuar planin e lojës në ditët e kaluara, dhe mendoj se duhet të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë. Nuk kemi pse të shkojmë aty dhe të mbrohemi, thjesht duhet të luajmë lojën tonë ashtu siç bëmë në ndeshen e kthimit. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe unë mezi po e pres”, shprehet ai për faqen zyrtare të Liverpulit.
Ndërkohë, Barcelona pas fitores 4-1 në “Nou Camp” ndaj Romës, është me një këmbë në gjysmëfinale të Ligës së kampionëve. Duke marr parasysh ecurinë e katalonasve dhe rezultatet që po i arrin në Primera Divizion, kurse Roma në këtë ndeshje hyn pas humbjes së papritur në shtëpi nga Fiorentina, të bën të mendosh se një përmbysje në këtë përballje, vështirë se mund të ndodh. “Nuk e di nëse mungon mentaliteti për këto ndeshje, por ata janë më të fortë dhe kjo dihet. Rezultati 3-1 do të ishte më mirë, por kur bëhen kaq shumë gabime, këto ekipe të mëdha të ndëshkojnë. Në këtë ndeshje hymë pas një humbje të rëndë nga Fiorentina ku ende nuk e kemi siguruar pjesëmarrjen në Ligën e kampionëve sezonin e ardhshëm. Por do të shohim se çfarë mund të bëjmë sonte ndaj Barcelonës”, deklaroi Edin Xheko, autori i golit të vetëm për Romën në “Camp Nou”. Të dyja ndeshjet kthyese do të fillojnë në ora 20.45.
DYSHET:
Mançester S. – Liverpul (0-3)
Roma – Barcelona (1-4)
*Në kllapa janë rezultatet nga ndeshjet e para