Liga italiane prej fillimi të këtij edicioni ka futur teknologjinë në fushat e futbollit. Sistemi VAR (videoasistenti i referit) ka sjellë reagime të ndryshme nga lojtarët, trajnerët, gjyqtarët dhe tifozët e sportit më të popullarizuar në botë. Njeriu kryesor pro implementimit të teknologjisë në stadiume, Roberto Rosetti, thotë se deri më tani ky sistem ka rezultuar të jetë i suksesshëm. Videoasistenti i referit është prezantuar për herë të parë në kampionatin italian gjatë këtij edicioni dhe pavarësisht se është pritur mjaft mirë ka pasur disa incidente kontroverse dhe ankesa për kohën e shfrytëzuar nga gjyqtarët për ta marrë vendimin. Ish-gjyqtari italian, Roberto Rosetti, flet për gazetën italiane “Gazzetta dello Sport”.
“E kuptoj frikën, është normale që të ketë reagime kur ka ndryshime radikale. Nuk është më e pranueshme që ta mbajmë teknologjinë larg. VAR është duke u përmirësuar, ne jemi në një fazë eksperimentale, por qëllimi është që të kemi një futboll më të drejtë dhe më spektakolar. Pse ta humbasësh titullin e kampionit, një finale apo një ndeshje të thjeshtë futbolli për shkak të një gabimi njerëzor, që mund të përmirësohet në një kohë të njëjtë kur merr një zëvendësim. Çdokush që mendon që VAR është thjesht për t’i ndihmuar gjyqtarët nuk e kupton ndikimin e plotë të këtij ndërrimi epokal”, deklaroi ish-gjyqtari italian. “Ka pasur 309 aksione të cilat janë rishikuar gjatë shtatë xhirove të para. Në 288 raste është konfirmuar vendimi i gjyqtarit, kurse në 21 të tjera është ndërruar. Kjo është një mesatare prej tre gabimesh për xhiro. Faullet kanë rënë, kishte 260 gjatë edicionit të kaluar, kurse sot janë 203. Kartonët e verdhë kanë rënë prej 313 në 245, ndërsa kartonët e kuq prej 24 në 15. Ka më shumë vëmendje prej lojtarëve, e dinë se po rrezikojnë më shumë dhe limitojnë disa prej sjelljeve të tyre. Protestat pothuajse janë zhdukur, gjë e cila në Itali është si një lloj mrekullie. Ne gjithashtu duhet ta lavdërojmë qetësinë e tifozëve në stadium kur kemi të bëjmë me një ndërrim të vendimit nga teknologjia”, shprehet Rosetti. Sidoqoftë, ka disa reagime negative sa i përket ngadalësisë së lojës gjatë rishikimit të vendimeve të gjyqtarëve. “Është pak apo asgjë, dua të theksoj se merr më shumë se një minutë për t’u kryer një zëvendësim. Le ta marrim për shembull një ndeshje të Serie A. Gjatë edicioni të kaluar topi ishte në lojë për 50 minuta e 19 sekonda për ndeshje. Kjo është e ulët duke u krahasuar me pjesën tjetër të Evropës. Këtë edicion është 51 minuta dhe 10 sekonda, kështu që është rritur. Le ta shikojmë mesataren e minutave shtesë në një ndeshje. Në edicionin e kaluar të Serie A ishte 5 minuta e 17 sekonda, kurse këtë vit është 5 minuta e 36 sekonda. Siç e shpjegoi edhe (Nicola) Rizzoli, duhet ta kthesh kohën që e ke marrë gjatë përdorimit të teknologjisë”, thotë ai.
“Është thënë që duhet të përmirësohemi. Disa përmirësime tashmë janë bërë, në tri xhirot e para merrte një mesatare prej 1 minute e 22 sekondash për ta rishikuar vendimin për shkak të problemeve teknike, për shembull në ndeshjet Inter-Fiorentina dhe Inter-Spal. Në tri xhirot e ardhshme ne e ulëm kohën për 40 sekonda. Kjo na jep neve një mesatare prej 54 sekondash që një gjyqtar ta shikojë përsëritjen dhe ta marrë vendimin”, shton Rosseti. “Futbolli është duke ndërruar falë teknologjisë dhe do të ketë futboll më cilësor”, përfundon italiani.