Në një sport si Formula 1 ku teknologjia është në majat e përdorimit të saj, mund të përdoret sistemi VAR për të qenë më të saktë në penalitetet që pilotët mund të marrin gjatë garës. Kjo është ideja e një prej drejtuesve të rinj të Formula 1, Ross Brawn (drejtori sportiv i garave), që ka thënë se komisarët mund të përdorin sistemin e futbollit në raste delikate. Kjo deklaratë e Brawn ka ardhur pas polemikave që lindën pas penalitetit që mori Max Verstappen, pas parakalimit që i bëri Kimi Raikkonen. Piloti i Red Bull u rendit i treti por u penalizua me 5 sekonda dhe humbi podiumin.
Formula 1 i përdor pamjet televizive gjatë garës, por ky përdorim mund të jetë më intensiv dhe i kujdesshëm në të ardhmen, pa dëmtuar spektaklin e garës. “Në të gjitha sportet teknologjia po bëhet gjithnjë e më shumë e rëndësishme, për të marrë vendime më të kujdesshme. në Bundesligë dhe Serinë A ky sistem po përdoret me sukses. Edhe Formula 1 ka një sistem video fantastik, por unë mendoj se duhet të shohim mënyrën se si do të përdorim atë për të qenë më të saktë”, tha Ross Brawn.