Gjatë muajve të kaluar (përderisa ende janë në pritje të nënshkrimit të Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe) ambulanca e burgut të Shutkës, është restauruar e gjitha, respektivisht kompetencat mbi këtë sektor edhe tutje do t’i ketë drejtoria e burgut, megjithatë mbikëqyrjen dhe menaxhimin do ta realizoj Shtëpia e Shëndetit Shkup
Omer XHAFERI
Shkup, 3 prill – Ambulancat e burgut të Idrizovës dhe atij të Shutkës, brenda ditëve në vazhdim edhe zyrtarisht pritet të merren përsipër nga Shtëpia e Shëndetit-Shkup. Ndonëse një gjë e tillë u paralajmërua se do të ndodhë në fillim të këtij viti, megjithatë për shkak të moskompletimiit të dokumentacionit voluminoz, një transferim i tillë i sistemi shëndetësor u shty për disa muaj. Drejtori i burgu të Shutkës, Gjoko Kotevski, në një prononcim për gazetën KOHA, njofton se mbi 90 për qind e procedurës për marrjen e ambulancave nga institucionet publike të shëndetit është përfunduar, dhe vetëm pritet nënshkrimi i Ministrit të Shëndetësisë, që kjo çështje të finalizohet. “Në pyetje ka qenë marrja e lejes nga pesë institucion përkatëse. Pothuajse të gjitha janë përfunduar dhe vetëm jemi në prite që Ministria e Shëndetësisë të japë dritë jeshile që sistemi shëndetësor i burgut të Shutkës, zyrtarisht të kaloj nën kompetenca Shtëpisë së Shëndetit-Shkup. Për momentin në burgun e Shutkës janë të angazhuar tre punonjës mjekësor, konkretisht një mjek, një stomatolog dhe një motër medicinale. Paralelisht me transferimin e këtyre kompetencave, është paraparë angazhimi i dy mjekëve shtesë dhe një motre medicinale. Përfitimi më i madh në këtë rast është se e gjithë Shtëpia e Shëndetit-Shkup, qëndron në dispozicion të të burgosurve, gjegjësisht laboratori dhe pajisjet tjera”, thotë drejtori Kotevski.
SHTËPIA E SHËNDETIT E SHKUPIT, MBIKËQYRËSE
Gjatë muajve të kaluar (përderisa ende janë në pritje të nënshkrimit të Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe) ambulanca e burgut të Shutkës, është restauruar e gjitha, respektivisht kompetencat mbi këtë sektor edhe tutje do t’i ketë drejtoria e burgut, kurse mbikëqyrjen dhe menaxhimin do ta realizoj Shtëpia e Shëndetit Shkup, shkruan gazeta KOHA. Procedura për marrjen mbi supe të sektorëve të shëndetësisë në burgun e Idrizovës dhe atë të Shutkës, siç thotë njeriu u dytë i Shtëpisë së Shëndetit Shkup, Besim Koka, janë drejtë përfundimit dhe sipas tij ditëve në vijim zyrtarisht pritet që këto ambulantë të merren përsipër nga ky institucion i shëndetit publik. “Ministria e Financave ka ndarë 21 milionë denarë për ambulancat e burgut të Idrizovës dhe Shutkës dhe të njëjta pritet të shfrytëzohen për përmirësimin e kushteve në këto dy shtëpi ndëshkuese-përmirësues, duke filluar nga furnizimi me barna, pajisje shëndetësore dhe rrogat e të punësuarve. Gjithashtu kemi në plan të konkurrojmë edhe më një projekt tjetër përmes të cilit mendojmë t’i përmirësojmë kushtet brenda ambulancave”, tha zëvendësdrejtori i Shtëpisë së Shëndetit Shkup, Besim Koka.
Në bazë të sistematizimit që këto dy ambulanca të punojnë në dy ndërrime, duhet që në burgun e Idrizovës, minimum të jetë i punësuar një specialist, dy mjek të përgjithshme, dy motra medicinale, një psikolog dhe një nëpunës sporteli. Për momentin në burgun më të madh në Maqedoni, janë të angazhuar dy mjek, dy motra medicinale, një stomatolog dhe një psikolog. Nga ana tjetër në burgun e Shutkës, sipas sistematizimit duhet të jetë i punësuar një specialist, dy mjek, një stomatolog dhe dy motra medicinale.
PËRKEQËSIMI I GJENDJES SHËNDETËSORE ËSHTË SHTUAR
Numri më i madh i ankesave të parashtruara para zyrës së Avokatit të Popullit për vitin paraprak, për gjendjen e burgjeve në vend, drejtpërdrejtë ka qenë e lidhur me sistemin e sigurisë shëndetësore. Sipas raportit vjetor të Avokatit të Popullit, numri më i madh i të burgosurve është ankuar për kushtet jo të përshtatshme në ambulancat e shtëpive ndëshkuese-përmirësuese.
“Mungesa e pajisjeve mjekësore, mungesa e medikamenteve dhe kuadrit mjekësore edhe më tej paraqesin problemin kryesor me të cilën ballafaqohen të burgosurit. Si pasojë e kësaj është rritur numri i vdekjeve, me çka ne përmes nismave tona kemi iniciuar 12 lëndë për hetimin e arsyeve të pasojave të vdekjeve dhe mes tjerash kemi kërkuar nga Prokuroritë Themelore Publike vallë për këto raste është hapur ndonjë procedurë. Me çka na kanë njoftuar se për 6 procedura që kishin të bëjnë me vdekjet e të burgosurve, rastet janë mbyllur me mos inicimin e procedurave para Prokurorisë, për shkak siç thuhet në përgjigjet e organeve përkatëse nuk ekzistojnë gjurmë nga vdekja e dhunshme, respektivisht për 6 rastet tjera procedurat vijojnë”, thuhet në raportin vjetor të Avokatit të Popullit për çështjen e burgjeve në Maqedoni.
Krahas problemeve të theksuara, numri më i madh i të burgosurve, gjatë vitit 2017 janë ankuar për përkeqësim të gjendjes shëndetësore, më konkretisht dhimbje të dhëmbëve. Lidhur me këto ankesa, zyra e Avokatit të Popullit, në të shumtën rasteve ka arritur t’ju ndihmojë të burgosurve, gjegjësisht deri te drejtori i burgut përkatës janë dorëzuar shkresë ku ai është obliguar t’i ndërmerr masat e nevojshme për rregullimin e dhëmbëve të të burgosurve dhe protezat e tyre, të gjitha me harxhim të drejtorisë. Në raportin e Avokatit të Popullit, theksohet se po thuajse të gjitha drejtoritë e kanë pranuar një rekomandim të tillë.
Megjithatë, konstatimi i Avokatit të Popullit, se sistemi i shëndetësisë dhe i sigurimit në burgje nuk është funksional, vazhdon të mbetet. Personat që vuajnë masat e dënimit me burg dhe ato në paraburgim, siç thuhet në raport, trajtimin mjekësor e pranojnë vetëm gjatë orarit të punës, me përjashtim të Burgut të Shkupi (Shutkës), ku është vendosur puna në dy ndërrime. (koha.mk)