Ekspertët thonë se vetëm hapja e vendeve të reja të punës dhe mbajtja nën kontroll e punësimeve në sektorin publik do të ndihmonte punën dhe stabilizimin e Fondit Pensional
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 dhjetor – Sivjet për pagesën e pensioneve do të harxhohen afër 900 milion euro, ndërsa në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet që kjo shifër të rritet në afër një miliardë euro. Sivjet nga buxheti i shtetit do të ndihmohet pagesa e pensioneve me afër 500 milion euro, ndërsa edhe për vitin e ardhshëm parashikohen të ndahen shuma të ngjashme për pagesën e pensioneve nga arka e shtetit. Në vitin 2018, shteti për të ndihmuar pagesën e rregullt të pensioneve ka ndihmuar arkën e Fondit Pensional me 478 milionë euro. Nga ana tjetër, në fund të muajit tetor në shtet 323.911 pensionistë kanë pranuar pensione , ndërsa nga viti në vit po rritet numri i tyre në mesatare nga disa mijë pensionistë.
Gjithashtu, në gjashtë vitet e kaluara është rritur numri i pensionistëve nga 293.158 në muajin nëntor të viti 2014 në 320.639 pensionistë që kanë pranuar pensione në muajin nëntor të vitit të kaluar. Pritet që me ndryshimet e fundit, deri në fund të vitit 2021, që të pensionohen në mënyrë të obligueshme afër 10 mijë pensionistë të rinj. Ekspertët vlerësojnë se shteti duhet të bëjë më shumë kujdes me reformat e filluara të sistemit pensional, duke marrë parasysh se nga viti në vit po rriten edhe mjetet financiare që derdhen nga buxheti i shtetit për pagesën e pensioneve, për shkak të pamundësisë që Fondi Pensional, që vetëm nga të ardhurat e tij të paguajë për çdo muaj pensionet. Pritet që me ndryshimet e fundit, deri në fund të vitit 2021, që të pensionohen në mënyrë të obligueshme afër 10 mijë pensionistë të rinj. Njëherësh , një nga idetë që po shqyrtohet është edhe blerja e stazhit apo përvojës së punës mund të ngarkojë në mënyrë shtesë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e Fondit Pensional. Gjithashtu edhe pensionimi i obligueshëm në moshën 64 vjeçare nga njëra anë do të zvogëlojë harxhimet për paga dhe kontribute, ndërsa nga ana tjetër do të rrisë nevojën për mjetet që do të duhet të paguhen për pensionet.
Eksperti ekonomik, Goran Rafajllovski, thotë se hapja e vendeve të reja të punës dhe mbajtja nën kontroll e punësimeve në sektorin publik do të ndihmonte punën dhe stabilizimin e Fondit Pensional. “Shteti duhet të sigurojë një qëndrueshmëri në suaza afatgjate të sistemit pensional, për shkak se nj një situatë kur kemi 700 mijë të punësuar, prej të cilëve janë 180 mijë në administratë apo në partneritet privat-publike , atëherë kemi një raport prej 500 mijë të punësuarve që duhet të sigurojnë pensione për afër 330 mijë pensionistë”, shton ai. Edhe ekonomistët e tjerë vlerësojnë se nuk ekziston rrugëdalje tjetër për përmirësimin e kondicionit të arkës nga ku paguhen pensionet, përveç rritjes së numrit të kontribuuesve të rinj në arkën e shtetit. “Përforcimi i portofolit së Fondit Pensional në një periudhë afatmesme dhe afatgjate mbi të gjitha kërkon zhvillim ekonomik, rritjen e numrit të punësuarve dhe rritjen e pagave. Nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e këtij problemi”, shton eksperti ekonomik Pavle Gaçov.
Ndryshe, problemet me pagesën e pensioneve nga burimet vetanake të Fondit Pensional nuk janë të reja. Ato burojnë që nga pavarësia e shtetit para 30 vitesh dhe nga ulja e numrit të punësuarve karshi numrit të pensionistëve.
Në rast se para 30 vitesh ky raport ishte 3 me 1, tani ai po ulet nën 2 me 1 apo është 1 me 1.5. Njëherësh krahas uljes së të punësuarve që paguajnë kontribute në Fondin Pensional që bazohet në solidaritetin e gjeneratave, në vitet e fundit është rritur edhe numri i pensionistëve. Në ndërkohë plakja e popullatës dhe ulje e numrit të punësuarve që mbajnë një pensionist parashikojnë analizat e Fondit Pensional. Analizat e raportit aktuar të Fondit Pensional të Maqedonisë tregojnë se do rritet numri i pensionistëve nga afër 300 mijë para disa viteve, në 470.000 në vitin 2050. Harxhimet për pagesën e pensioneve parashikohen të rriten prej afër 700 milionë euro në 1.5 miliardë euro, ndërsa pensionet mesatare pritet të zvogëlohen nga 53 në 43 për qind të pagës mesatare neto. Raporti alarmon se në periudhën e ardhshme se vjen e më pak të siguruar do të paguajnë për një numër më të madh të pensionistëve dhe do të paraqiten vështirësi në mbulimin e harxhimeve të Fondit Pensional. Analizat bazohen në projeksionet afatgjate për ardhmërinë e sistemit pensional në vend të bazuara në lëvizjet e ardhshme demografike dhe ekonomike të përgatitura nga institucionet përkatëse.
“Analizat tregojnë se në të tre skenarët deri në vitin 2050 ka zvogëlim të konsiderueshëm të raportit të siguruar-pensionistë. Në skenarin pesimist ky raport zvogëlohet deri në 1.09, ndërsa edhe në skenarin optimist ky raport me 1.43 është i pavolitshëm. Ky raport tregon se sistemi që është i bazuar vetëm në financimin rrjedhës do të ketë problem në punën e tij pasi vetë raporti të siguruar-pensionistë është tregues për jo qëndrueshmërinë e sistemit. Sistemi me financimin rrjedhës është shumë i ndjeshëm në plakjen e popullatës dhe me zvogëlimin e numrit të personave që punojnë e vetmja zgjidhje është rritja e kontributeve për sigurim pensional ose zvogëlim i pensioneve“, thekson raporti i Fondit Pensional të Maqedonisë. Ndryshe, edhe rritja e pensioneve në dekadën e fundit që nuk përcillje nga rritja ekonomike, lirimi nga kontributet për të punësuarit në zonat ku punojnë investitorët e huaj e kështu me radhë ka ndikuar në ngarkesën e mëtejshme të arkës së Fondit Pensional. (koha.mk)