Sistemi i inteligjencës artificiale Al “e fshiu dyshemenë” me disa nga mjekët më të njohur kinezë në diagnostikimin e tumoreve të trurit dhe parashikimin e përhapjes së hematomave, raportoi portali The Next Web disa ditë më parë.
Sipas portalit kinez Xinhua, sistemi në fjalë e ka mposhtur një ekip prej 15 mjekëve më të njohur kinezë me një rezultat prej dy me një.
Sistemi Al, i njohur si BioMind, është produkt i Qendrës Kërkimore për inteligjencën artificiale dhe çrregullimet neurologjike në spitalin Tiantan në Pekin, dhe është edhe një shembull i një vargu të gjatë të teknologjive për analizën e fotografive.
Në diagnostikimin e tumoreve të trurit BioMind arriti saktësi prej 87 për qind, në krahasim me saktësinë prej 66 për qind të arritur nga ekspertët mjekësorë, transmeton Koha.net. Përveç kësaj, Al-së iu deshën vetëm 15 minuta për t’i zbuluar 225 raste, krahasuar me 30 minuta sa iu deshën mjekëve.
BioMind përsëri tregoi superioritet edhe në parashikimin e përhapjes së hematomave në tru, ku e arriti rezultatin prej 83 për qind, ndërsa mjekët arritën vetëm 63 për qind.
Shkencëtarët e trajnuan sistemin duke futur në të mijëra foto nga arkivi i spitalit Tiantan. Kjo e ngriti nivelin e tij të njohjes së sëmundjeve neurologjike në një nivel të një mjeku kryesor, pasi që e arriti një nivel saktësie prej 90 për qind.
Nënkryetari ekzekutiv i spitalit Tiantan, Wang Yongjun, tha për portalin Xinhua se nuk u mërzit shumë me fituesin në luftën mes mjekut dhe sistemit Al. Ai tha se ishte thellësisht i bindur se kjo garë i ndihmoi mjekët ta shihnin fuqinë e inteligjencës artificiale, sidomos ata që ishin skeptikë rreth saj, përcjell Koha.net. Në fund, ai shprehu shpresën se mjekët do të përpiqen ta kuptojnë më thellë inteligjencën artificiale dhe t’i heqin paragjykimet e mundshme kundër saj.