Në Pollog, pikërisht nga mos pasja e ujit për ujitje, shumë bujq tashmë kanë lënë tokat e tyre të papunuara, kurse shteti disa herë ka paralajmëruar se do të intervenojë që të rregullojë këtë sistem, por deri më tash ende uji kalon në sistemin e ndërtuar në kohën e komunizmit
Urim HASIPI
Tetovë, 27 maj – Sistemi i ujitjes në rajonin e Pollogut është në gjendje të rëndë. Në të kaluarën ky sistem ka funksionuar shumë mirë, dhe tërë bujqit e Pollogut kanë ujitur pronat e tyre pa asnjë problem. Por, viteve të fundit ky sistem, për shkak të mosmirëmbajtjes, filloi të mos funksionojë. Kanali përmes të cilit kalonte uji nga Gostivari deri në Tetovë, në shumë vende filloi të mos mirëmbahet, dhe ujin e shfrytëzonin vetëm bujqit deri në Tetovë, por jo edhe ata të Komunës së Tearcës dhe Jegunocit. Edhe vetë ndërmarrja e cila menaxhonte me ujin për ujitje disa vite nuk ka funksionuar si duhet, prandaj edhe shumë bujq u detyruan që të mos punojnë tokat e tyre për shkak të mungesës së ujit. “Çdo vit jemi duke rrezikuar kur mbjellim pronat tona me prodhime bujqësore, sepse uji mungon, ndërsa gjithnjë viteve të fundit jemi në mëshirë të natyrës. Nëse ka shi atëherë do të kemi edhe prodhime, kurse nëse nuk ka shi atëherë prodhimet tona nuk bëhen,” thotë një bujk nga rajoni i Tetovës.
Sistemi i ujitjes tashmë është në funksion vetëm 60 për qind, por edhe ai është shumë i vjetruar dhe në shumë vende ka problem. Nëse nuk pastrohet në kohë, i njëjti mbushet me mbeturina. Gjatë vitit të kaluar është pastruar kanali nga fshati Radiovcë deri në Tearcë, por zakonisht uji mungon që të arrijë deri tek pronat e këtyre bujqve. “Presim që Qeveria të lëshojë mjete dhe të pastrojmë edhe një pjesë nga Lumi Shkumbin deri në fshatin Neproshten apo Ratajë. Janë pastruar 40 kilometra nga gjithsej 60 sa është i gjatë tërë kanali nga Gostivari për në Tetovë dhe komunat rurale”, thonë nga Njësia rajonale që menaxhon me sistemin e ujitjes në Pollog.
Në ndërkohë, problem shfaqet se kur në kanalin për ujitje ka ujë, atëherë të njëjtin e shfrytëzojnë bujqit që janë nga rajoni I Gostivarit dhe shumë pak ata të Tetovës, thonë bujqit. “Edhe atëherë kur ka ujë, shumë pak arrijmë që të shfrytëzojmë, sepse bujqit që janë në pjesën më të lartë apo përpara nesh i kanë pronat, e marrin ujin dhe për ne ngelet shumë pak. Duhet që ky sistem të rregullohet mirë që të kemi ujë atëherë kur na nevojitet, sepse ujë zakonisht ka kur nuk na duhet, apo nuk e shfrytëzojnë bujqit tjerë”, thotë Mensuri, një bujk nga rajoni i Tetovës.
Viteve të fundit, kur ky sistem u ujitjes filloi të mos mirëmbahet. Shumë bujq kanë vendosur sistem të tyre vetanak të ujitjes, me qëllim që të ujisin tokat e tyre. “Kemi vendosur gyp në tokë dhe nxjerrim ujë për të ujitur pronat tona. Në kohët e mëparshme kishim ujë përmes kanalit dhe nuk kishim asnjë problem. Por, më pas filloi të mos ketë ujë, prandaj edhe jemi të detyruar që të vendosim vetë këtë sistem që të kemi ujë atëherë kur nevojitet”, shprehet ai.
Në Pollog, pikërisht nga mos pasja e ujit për ujitje, shumë bujq tashmë kanë lënë tokat e tyre të papunuara, kurse shteti disa herë ka paralajmëruar se do të intervenojë që të rregullojë këtë sistem, por deri më tash ende uji kalon në sistemin e ndërtuar në kohën e komunizmit. (koha.mk)