Nuk mund të flitet njëkohësisht edhe për vetting edhe për ikje të harambashëve nga sistemi i drejtësisë. Ata që flasin për vetting dhe i tolerojnë këto ikje, janë bashkëfajtorë dhe ata nuk kanë të drejtë morale të flasin për norma e standarde në gjyqësi
Nga Emin AZEMI
Si është e mundur që gjyqësia në Maqedoni të jetë kaq e “mëshirshme”, kur janë në pyetje përfaqësuesit e ndryshëm të politikës, biznesit, nëntokës e mbitokës maqedonase. Nuk mbeti harambash që flet maqedonisht pa i ikur drejtësisë së këtushme falë ‘lëndëve të vjetruara’, që nga Vlado Buçkovski e deri te Nikolla Gruevski.
Në Hungari, Greqi, Serbi e shtete tjera ndodhen plot harambashë të tillë të kërkuar me mandat arrest dhe assesi të nxirren para gjykatave të këtushme.
Ky sistem drejtësie, kaq poroz që është, do t’ia ketë lakmi edhe djathi zviceran për ngjashmërinë. Por, për dallim nga djathi zviceran, sistemi i këtushëm i drejtësisë nuk është vetëm poroz, por është edhe i njëanshëm, sepse në Maqedoni, dënimet e larta, përmes proceseve të montuara, janë të rezervuara vetëm për shqiptarët. Çuditërisht, gjyqësia e këtushme tregohet efikase vetëm në raste të caktuara dhe ky është problem fundamental që e bënë sistemin e drejtësisë të jetë pa etikë profesionale dhe me besim të ulët në sytë e qytetarëve.
Tani kur po bëhen gati motorët për të filluar edhe një sistem monoton zgjedhor, që pritet të ndodhë vitin e ardhshëm, politikanët do të mundohen të lavdërohen për të arriturat e mëdha në fusha të caktuara, mirëpo nuk e kemi të qartë se si do ta sqarojnë faktin që brenda këtyre tre viteve nuk u burgos asnjë politikan i ngarkuar me vepra të rënda penale dhe nuk u mbyll asnjë aferë e rëndë korruptive.
Si është e mundur që proceset e këtushme gjyqësore janë shndërruar në cirk, ku mungojnë të akuzuarit, kurse prokurorët dhe gjyqtarët në vend se të japin dorëheqje për paaftësitë e tyre, rikandidohen dhe avancohen në pozita të ndryshme.
Nuk mund të flitet njëkohësisht edhe për vetting edhe për ikje të harambashëve nga sistemi i drejtësisë. Ata që flasin për vetting dhe i tolerojnë këto ikje, janë bashkëfajtorë dhe nuk kanë të drejtë morale të flasin për norma e standarde në gjyqësi.
Në Maqedoni, gjithkush mund të futet në birucë,vetëm politikanët jo. Dy ish-kryeministra të ngarkuara me vepra penale, Buçkovski dhe Gruevski, dhe dhjetëra të tjerë që gëzojnë privilegjin e të qenit ‘të paprekshëm’, janë shembull shkollor që ilustron shkollën e pamoralshme juridike të Maqedonisë.
Në Maqedoni burgun e hanë vetëm ata që nuk kanë lekë të paguajnë avokat dhe të aranzhojnë zvarritje të proceseve gjyqësore. Këtu shumë shpejt shpallesh i pafajshëm, edhe pas keqpërdorimit të miliona eurove, sepse sistemi i drejtësisë këtu është i ngritur mbi parimin e selektimit të fajësisë, ku më keq kalon ai që më pak ka faj(!).
Prandaj shanset për t’u bërë kriminel potencial janë shumë të mëdha, kurse ata që mundohen të jetojnë me nder dhe të fitojnë me djersë duhet të paguajnë faturën e mosdënimit të kriminelëve.
Asnjëherë nuk ka qenë më vështirë për njerëzit normal dhe asnjëherë nuk ka qenë më mirë për harambashët!