Ekziston bilanci pozitiv i sistemit arsimor, por që mbetet e pranishme nevoja dhe domosdoshmëria që atë ta shndërrojmë në sistem ku do të dominojnë vlerat, dituritë, bashkëkohorja, qasjet moderne, efikasiteti, cilësia e të ngjashme. Reforma do të jetë e pasuksesshme nëse bëhet me hapa të shpejtuar, e pa dizajnuar mirë dhe me analiza e vështrime, indikator e parametra jo të qëndrueshme
Nga Xheladin MURATI
Organizimi arsimor, strukturat arsimore, objektivat e arsimit e të edukimit, mekanizmi i funksionimit të tyre si edhe marrëdhëniet që vendosen me shoqërinë, sado që ndjekin ligjësi të përgjithshme ato i nënshtrohen një sistemi universal me mision dhe funksion konkret, vendosen në një sistem ku ligjësitë e brendshme specifike paraqesin piramidën e sistemit bashkëkohor arsimor. Sistemi arsimor paraqet një strukturë komplekse të institucioneve vitale të shoqërisë, i cili mund të shqyrtohet nga aspekte dhe dimensione të shumta. Historia e tij është e bujshme mbasi ai gjithmonë ka tentuar të jetë bashkëkohor. Megjithatë koha vrapon dhe ai duhet ti përshtatet asaj, apo më mirë të them sistemi arsimor duhet t’i paraprij kohës.
PREMISAT. Trajtimi i temës mbështetet në këto premisa: 1. Reformimi i sistemit arsimor nënkupton reformimin e dijeve dhe vlerave. 2. Reformimi i arsimit është proces nuk është gjendje. 3. Reforma e sistemit arsimor është sfidë e pedagogjisë dhe shoqërisë. 4. Reforma kërkon studime, analiza dhe koncepte përmbajtësore. 5. Reformimi i sistemit duhet të bëj ndryshimin e shkollës, profilizimin e saj dhe ndërtimin e institucioneve arsimore në përputhje ne kërkesat bashkëkohore teknologjike.
QASJE DHE ASPEKTET. Sistemi arsimor ka nevojë për më shumë se përmirësime apo përparime kozmetike: duhet të kthehet në parime të qëndrueshme të zhvillimit dhe ti rizbuloj qëllimet e tij qendrore dhe parësore dhe të shtroj pyetje se cilat aspekte të sistemit aktual nuk janë më funksionale, të përballueshme ose të menaxhueshme. Pra sistemi arsimor ka nevojë për reformim rrënjësor me projekte e vizion të qartë. Përndryshe, ne do të kuptojmë se, ndërsa sistemi ecë dhe fëmijët, nxënësit, studentët nuk analizojnë se cila është pozita e tyre në sistem edukimi atëherë nuk ka përparim. Përparimi dhe zhvillimi i tyre do të jetë më i relativizuar.
Sistemin arsimor në qenësinë e tij duhet shikuar nga aspekte dhe dimensione të ndryshme, por mbi të gjitha me rëndësi janë: (1) Institucionet që e përbëjnë sistemin (shkolla, ente…), (2) Bartësit e institucioneve arsimore dhe reagimet e tyre ndaj sistemit, (3) Institucione që e përkrahin arsimin dhe janë në funksion të reformimit të sistemit arsimor, (4) Faktorët vendimmarrës për reformimin e sistemit, (5) Projekt apo agjendë për reformimin e sistemit arsimor.
Reforma e sistemit arsimor fillon mbi një analizë të thellë të sistemit dhe problemeve të tij i cili në fakt është diagnozë për gjendjen e tij dhe mbi bazë të saj jepet prognoza për zhvillimin e mundshëm të tij. Për këtë arsye duhet hulumtime paraprake si faktor kyç për të vlerësuar çka mungon dhe çka duhet të bëhet. Për këtë qëllim duhet zbatuar metodat komparative dhe metoda e analizës së përmbajtjes.
Arsimi dhe sistemi arsimor janë në fokus të interesimit të opinionit sepse nëpër të kalon çdo individ në kohë të caktuar. Që të formohet një sistem modern duhet të mbështetemi në disa faktor që e bëjnë atë të qëndrueshëm. Të këtillë janë: 1. Faktorët ekonomik apo korniza ekonomike si determinantë e zhvillimit të sistemit arsimor, 2. Zhvillimet demografike nga të cilat bëhet dimensionimi i institucioneve arsimore, 3. Konteksti social-historik, 4. Rrethanat shoqërore-politike dhe 5. Tradita dhe rrafshi kulturor-kombëtar. Reforma arsimore është një objektiv brenda mundësive të të gjithë atyre që janë në gjendje të organizojnë arsimin në mënyrë efektive e cilësore, duke përdorur ndihmën edhe të tjerëve kur është e nevojshme, por duke mos harruar kurrë se duhet të jenë vetë arsimtarët, edukatorët, pedagogët që japin kontributin e drejtpërdrejt në artikulimin e reformës. Në kuptimin më të gjerë është administrata shtetërore që në rastin tonë përfshinë Ministrinë e Arsimit, Byronë për Zhvillimin e Arsimit, Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, Qendrën për Arsimimin e të Rriturve, Qendrën për Arsimin e Mesëm Profesional, Shërbimi Pedagogjik, Universitetet dhe OJQ që merren me problemet arsimore. Reformimi i sistemit arsimor ka si synim ta përmirësoj në tërësi sistemin apo në segmente ku ai shpreh mangësi dhe si e këtillë reformimi mund të jetë i suksesshëm dhe i pasuksesshëm. Në këtë kontekst reformimi i sistemit arsimor ka shumë qëllime. Një ndër qëllimet e reformës është që të mund të krijojmë një sistem arsimor konsistent, të qëndrueshëm, progresiv dhe pa ndikime politike pavarësisht a janë institucione publike apo private, ku realizuesit e reformës (mësuesit, mësimdhënësit) do të jenë të lire të marrin iniciativa e vendime.
Reformimit të sistemit arsimor i paraprinë disa elemente bazë për efikasitetin e tij, ndër të cilat si më të rëndësishme janë: 1. Komunikim efikas mes faktorëve të sistemit dhe bartësve të reformës, 2. Mbështetje në analiza dhe material që kontribuojnë për cilësinë e reformës, 3. Tregues dhe indikator statistikor, ekonomik , demografik e social, 4. Institucione që do ta realizojnë reformën dhe do ta përcjellin zhvillimin dhe zbatimin e saj. Reformimi i sistemit arsimor ka gjithnjë përkrahës dhe kundërshtar. Prandaj në procesin e reformimit të dyja palët janë të barabartë dhe kyçja e tyre sjell procese pozitive. Pajtueshmëria apo konsensusi mes ithtarëve dhe kundërshtarëve të reformave është shumë domethënës sepse nëpërmjet konsensusit dhe participimit të përbashkët në reformë arrihen këto qëllime apo objektiva themelore që sistemit arsimor i japin peshë. Ato janë: (1) Të gjendet formulë për tejkalimin e problemeve dhe krijimin e qasjes unike në reformë; (2) Të përcaktohen prioritetet reformuese të sistemit; (3) Të dizajnohet politika dhe strategjia për realizimin e konceptit reformues; (4) Të definohen problemet e përbashkëta dhe ato që dallohen midis ithtarëve dhe kundërshtuesve të reformës. Nëpërmes konsensusit dallimet afrohen dhe krijohet unitet në qasje, veprime e vendimmarje.
Konsensusi në konceptimin dhe realizimin e reformës i jep legjitimitet reformës dhe më lehtë gjenden rrugët për zgjidhjen e çështjeve kontestuese në procesin reformues, më lehtë përballen problemet dhe tejkalohen dallimet rreth çështjeve konkrete e strategjike. Reforma e sistemit arsimor paraqet sfidë në vete si për shoqërinë ashtu edhe për bartësit e tij. Kjo sfidë veçohet në dy aspektet e saj themelore: Së pari, reforma synon përmirësimin e efikasitetit të sistemit do të thotë sa sistemi është i dobishëm dhe a i arsyeton mjetet e investuara në sistem. Së dyti, reforma synon të ngre dhe paraqes indikatorët e cilësisë së arsimit dhe sistemit. Këto dy elemente apo aspekte janë shtylla e reformimit të sistemit arsimor. Për realizimin e suksesshëm dhe efikas të reformimit të sistemit arsimor nevojiten edhe tre elemente të tjera. Së pari, nevojiten studime krahasuese për të parë nivelet dhe standardet e sistemeve të tjera. Së dyti, duhet këmbim përvojash dhe pikëpamjesh për funksionimin e sistemeve të tjera. Së treti, duhet të arrihet një konsensus mes faktorëve politik dhe faktorëve arsimor për reformimin e sistemit sepse vetëm kështu sigurohet pajtueshmëri për vlerat, qasjet dhe standardet që duhet ndërtuar. Konsensusi, në këtë rast nënkupton tri aspekte bazë: thellësia, gjerësia dhe shtrirja kohore e sistemit dhe vlerave arsimore. Pse janë të rëndësishme studimet dhe qasjet krahasuese (komparative) të reformimit të sistemit arsimor? Për këtë ka shumë arsye, por dy më elementare janë: Së pari, krahasimet e insikatorëve, të dhënave brenda sistemit dhe jashtë tij me sistemet e tjera mundëson pasqyrimin e dallimeve, kundërshtive dhe opsioneve. Së dyti, krahasimet venë në pah kushtet historike-sociale në të cilat ndërtohet sistemi arsimor dhe me këtë ndërtohen qëndrrimet e sakta për konceptimin e sistemit arsimor.
Reformat e sistemit arsimor janë të suksesshme në se në të respektohet apo ndërlidhet teoria dhe praktika pedagogjike. Kjo nënkupton se në procesin reformues dhe realizimin praktik të konceptit reformues në të gjitha segmentet e nivelet e arsimit duhet të bashkëpunojnë dhe participojnë aktivisht në të gjitha fazat e reformimit bartësit e reformës, realizuesit ose zbatuesit e saj (mësues, edukator, profesor, pedagog, mësimdhënës) dhe politika arsimore me institucionet e saj. Pra reformimi kërkon një koordinim të gjerë mes partnerëve të arsimit. Mungesa e njërit nga to, sidomos e mësuesve do të tregon se reforma nuk është konzistente. Nuk mund të them se në sistemin tonë arsimor kanë munguar përpjekjet për reformim, por ajo që është bërë është e pamjaftueshme madje shumë ndërmarrje jo funksionale. Në fakt, në kushtet e rrethanat tona që nga nisma e pluralizmit në sistemin arsimor janë provuar shumë pilot projekte, ndërhyrje me karakter reformues të arsimit të cilat më shumë kanë krijuar mjegull e huti se sa zgjidhje të arsyeshme e të qëndrueshme. Mendoj se sistemi ynë arsimor duhet të jetë shumë pragmatik dhe çdo reformë duhet të ketë parasysh problemet themelore për organizimin cilësor të arsimit si: klasat e stërngarkuara me nxënës njëjtë si ato të zbrazëta apo me 2-3 ose 5 nxënës, në të dyja rastet jo efikase dhe ekonomikisht të papërmbajtura, hapësirat dhe infrastruktura shkollore, mungesa e tyre për mësim cilësor, tekstet mësimore kërkojnë rishikim rrënjësor, numri i orëve mësimore për nxënësit, numri i lëndëve mësimore dhe qasja integrale ndaj tyre, ristrukturimi i arsimit fillor e të mesëm, strukturimi dhe dimensionimi i arsimit profesional, sistemi kurrikular, programet nacionale dhe lokale, sistemi i notimit dhe përparimit të nxënësve, pozita dhe statusi i arsimtarëve – përparimi i tyre, ndërtimi i karrierës profesionale, vlerësimi, stimulimi, pagesa etj.
Një çështje që ka filluar të përmirësohet por nuk ka sukses të mjaftueshëm është edukimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara. Cështja dhe statusi i tyre social – pedagogjik kërkon zgjidhje të qëndrueshme. Kjo zgjidhje përfshin tre elementa të veçanta: inkluzioni i tyre në edukim, hapja e shkollave për edukimin e tyre dhe sigurimi i kuadrit profesional të mjaftueshëm për punë me to si: defektolog, logoped, oligofrenopedagog, surdopedagog, tiflopedagog, psikolog të profileve përkatëse për punë në fushën e edukimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Pra, konsideroj që duhet të punohet me sistem arsimor që i përshtatet kushteve tona dhe jo të merren qasje të gatshme apo projekte të ngjashme nga jashtë pa u marrë parasysh rrethanat aktuale e konkrete.
PËRFUNDIM. Nuk e vlerësova rrugën e zhvillimit të sistemit arsimor madje as të arriturat të cilat janë evidente, por parashtrova mendime dhe rrugën se si ai duhet të bëhet më bashkëkohor, efikas dhe i përshtatur për të sfiduar risitë dhe kohën. Para së gjithash, ekziston bilanci pozitiv i sistemit arsimor, por që mbetet e pranishme nevoja dhe domosdoshmëria që atë ta shndërrojmë në sistem ku do të dominojnë vlerat, dituritë, bashkëkohorja, qasjet moderne, efikasiteti, cilësia e të ngjashme. Reforma do të jetë e pasuksesshme nëse bëhet me hapa të shpejtuar, e pa dizajnuar mirë dhe me analiza e vështrime, indikator e parametra jo të qëndrueshme. (koha.mk)