Tashmë është bërë zyrtare: Salvatore Sirigu do të jetë portieri i ri i Torino-s. Lajmi vjen pas kthimit të Joe Hart në Manchester City në fund të një huazimi një vjeçare. “Torino Football Club ka kënaqësinë të njoftojë se kemi firmosur me Salvatore Sirigu nga Paris Saint-Germain”, shkruhet në deklaratën e klubit të Serie A. “Salvatore është një portier ndërkombëtar, me eksperiencë të jashtëzakonshme në garat evropiane dhe botërore dhe me disa trofe të fituar”, shtoi presidenti Urbano Cairo. Sirigu u gjend jashtë skuadrës së PSG kur parisienët nënshkruan me Kevin Trapp.
Pasi nënshkroi për “Granata-t” 30-vjeçari deklaroi se ai është “shumë i lumtur që u bë pjesë e kësaj skuadre”. “Unë zgjodha Torino-n sepse treguan interes ndaj meje. Klubi po rritet dhe besoj në projektin e drejtuesve”. Sirigu fitoi katër tituj Ligue 1 me PSG, tre “Trophees des Champions”, tre “Coupes de la Ligue” dhe dy “Coupes de France”. Presidenti i Torino-s, Cairo beson se italian është zgjedhja më e mirë për portën: “Ai ishte portieri më i mirë i Ligue 1 për dy sezone dhe bëri 30 paraqitje në Ligën e Kampionëve. Salvatore mund të luajë një rol kryesor për sezonet që do të vijnë”.