AFRIN (AA) – Civilët në rajonin Afrin të Sirisë veriperëndimore janë të ngazëllyer për t’u kthyer në shtëpi pasi ushtria turke dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) pastruan fshatrat e tyre dhe rrethinat nga terroristët e YPG/PKK-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Makina të ngarkuara me familje kurde dhe arabe janë duke shkuar në shtëpi. Ata po ndihmohen nga ushtria turke dhe ULS-ja.
Një numër i madh i civilëve u grumbulluan në rrethin Sheran, në verilindje të qytetit Afrin, i cili është një nga zonat e çliruara.
Aziz Ahmed, një prej shumë kurdëve sirianë që vuajti persekutimin nga YPG/PKK-ja, tha: “Falenderoj Zotin, rajoni ynë është pastruar nga terrorizmi. Ne besojmë se tani e tutje gjithçka do të jetë në rregull”.
Ahmed tha se YPG/PKK i detyruan ciivilët për të kapur armët, përfshirë edhe gratë dhe dënuan ata që rezistuan, përfshirë edhe vet Ahmed-in.
“Kur terroristët ishin këtu ata persekutuan vazhdimisht njerëz. Më kanë arrestuar disa herë pasi i kam kundërshtuar, por kam arritur të arratisem. Kur operacioni filloi, terroristët na dhanë armë dhe na detyruan të luftonim, por ne nuk e pranuam këtë”, shtoi ai.
Përdorimi i civilëve si mburoja njerëzore
Ahmed tha se civilët ishin duke pritur për një kohë të gjatë për t’u çliruar dhe ishin të lumtur kur dëgjuan për operacionin “Dega e Ullirit”. Ai tha se terroristët i kanë penguar civilët të largohen nga qendra e qytetit të rrethuar Afrin, duke i përdorur ato si mburoja të gjalla kundër Forcave të Armatosura Turke (TSK).
“Tani për tani kemi të afërm që duan të dalin nga atje, por terroristët nuk u lejojnë atyre të largohen dhe gjuajnë me plumba mbi ta dhe i rrethojnë ata, sepse e dinë që Turqia nuk do të vriste civilë. Kjo është arsyeja pse ata përdorin civilë për të mbrojtur veten”, tha Ahmed.
Ndërsa, 67-vjeçarja Meleknaz Musalli, një kurde siriane, tha se ajo është duke jetuar në paqe pasi ushtria çliroi fshatin e saj.
“Ne shpresojmë që Afrini të shpëtohet sa më shpejtë që të jetë e mundur. Ne kemi të afërm atje dhe ne jemi të frikësuar se terroristët do t’i dëmtojnë ata”, tha Musalli.
Gjithashtu edhe Uday el Sultan, e cila është duke u përgatitur të kthehet në shtëpinë e saj në fshatin Qibar, tha se terroristët donin t’i përdorin ato si mburojë të gjallë.
210 fshatra të çliruara
Që nga fillimi i operacionit TSK dhe ULS kanë çliruar 253 vende, përfshirë 210 fshatra dhe 43 male dhe kodra strategjike.
Më 20 janar, Turqia nisi operacionin “Dega e Ullirit” për të pastruar terroristët nga YPG/PKK-ja dhe DEASH-i nga Afrini.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit si dhe synon të mbrojë sirianët nga shtypja dhe mizoria e terrorizmit.
Nga atje theksojnë se operacioni është duke u kryer në kuadër të të drejtave të Turqisë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), të drejtën e vetëmbrojtjes në bazë të Kartës së OKB-së dhe respektimin e integritetit territorial të Sirisë.
Ushtria poashtu tha se vetëm objektivat e terrorit janë duke u shkatërruar dhe se “kujdes maksimal” është duke u dhënë për të shmangur dëmtimin e civilëve.