Siria planifikon t’i bashkangjitet Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike, të arritur para dy viteve për ta ngadalësuar ngrohjen globale.
Lajmin e kumtoi një delegat anonim sirian në konferencën ndërkombëtare për klimën në Bon.
Nik Natal, zëdhënës i Sekretariatit të KB-së për ndryshime klimatike, i cili e organizon Forumin e Bonit, tha se Siria ende zyrtarisht nuk ka parashtruar dokumente për t’iu bashkangjitur Marrëveshjes së Parisit.
Siria dhe Nikaragua ishin dy vendet e vetme që mbetën jashtë marrëveshjes mes 195 shteteve, që u arrit në vitin 2015. Presidenti amerikan, Donald Tramp në qershor kumtoi se planifikon që SHBA të tërhiqet nga marrëveshja, ndërkaq Nikaragua konfirmoi se do të bashkangjitet.
Me bashkangjitjen e Sirisë, SHBA-ja do të jetë vendi i vetëm i cili e kundërshton marrëveshjen.