Damask, 26 shkurt – Siria sot i dënoi sulmet ajrore të SHBA-së mbi objekte për të cilat Pentagoni thotë se i takojnë milicisë pro-iraniane, duke i përshkruar si tregues negativ për politikën e administratës së re amerikane.
Aksioni amerikan ishte kryer si përgjigje e sulmeve të fundit raketore të caqeve amerikane në Irak. Pentagoni bëri të ditur se sulmi është hakmarrje për sulmin raketor të kryer gjatë këtij muaji, ku u vra një kontraktues civil, derisa një ushtar amerikan dhe disa pjesëtarë të trupave të koalicionit u plagosën, transmeton Zëri i Amerikës.
Ministria siriane e Punëve të Jashtme vlerësoi se bëhet fjalë për sulm “frikacak” kundër të drejtës ndërkombëtare dhe paralajmëroi se kjo do të sjellë deri në një përshkallëzim në rajon
Ushtria amerikane kreu sulm ajror në Sirinë Lindore me urdhër të presidentit Xho Bajden. “Me urdhër të presidentit Bajden, forcat ushtarake amerikane kanë kryer sulme ajrore mbi infrastrukturën që e përdorin grupet ekstremiste të mbështetura nga Irani në Sirinë Lindore”, deklaroi zëdhënësi i Pentagonit Xho Kirbi.
Të paktën 17 persona kanë humbur jetën, kumtuan sot burime siriane, derisa një pjesëmarrës i milicisë pro-iraniane deklaroi se një ndër anëtarët e tyre është vrarë, ndërsa disa të tjerë janë plagosur.