Problemet financiare, vendosja e balancit midis punës dhe familjes, si dhe mungesa e kohës për përsosje profesionale mbeten problemet kryesore të grave sipërmarrëse në Maqedoni
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 janar – Maqedonia angazhohet dhe bën përpjekje për përforcimin e sipërmarrjes tek gratë, megjithatë për zhvillimin e saj – mungon krijimi i kornizës adekuate sociale dhe juridike. Problemet financiare, vendosja e balansit midis punës dhe familjes, si dhe mungesa e kohës për përsosje profesionale mbeten problemet kryesore të grave sipërmarrëse në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Organizatat dhe shoqatat e ndryshme po mundohen të aktivizojnë më shumë gra në biznes, megjithatë për një lëvizje më të madhe, mungon përkrahje gjithëpërfshirëse institucionale.
Analizat e Këshillit kombëtar për sipërmarrje të grave tregojnë se në Maqedoni akoma ka dallime mjaft të mëdha gjinore lidhur me sipërmarrjen.
“Numri i grave afariste në shtet lëviz prej 23 deri 29 për qind, ndërsa aktivitetet e grave sipërmarrëse më shumë janë të përqendruara në firma të vogla. Bile, rezultatet konfirmojnë se indeksi i aktivitetit sipërmarrës të grave në Maqedoni është më i ulëti në raport me numrin më të madh të shteteve të rajonit”, tregon analiza e Këshillit kombëtar për sipërmarrje të grave. Ndër barrierat për gratë sipërmarrëse janë edhe qëndrimet shoqërore dhe kulturore për rolin e gruas në biznes, qasja ndaj financave, qasja ndaj informacioneve dhe rrjeteve të biznesit.
Rekomandimet për përkrahje të sipërmarrjes së grave parashikojnë zhvillimin e mekanizmave për promovimin e burimeve të disponueshme për financim, ndryshimin e sistemit të mbrojtjes sociale, politikës tatimore dhe politikës familjare që do të zvogëlonte harxhimet si kujdesi për fëmijët që për gratë sipërmarrëse që mund të kthehet me subvencione apo të pranohet si harxhim që do të kthehet, pushimi i lehonisë, promovim më i madh për programet qeveritare, krijimin e qendrave për sipërmarrje të grave në kuadër të Odave ekonomike ngjashëm me përvojat rajonale.
Njëherazi, pritet edhe miratimi i Strategjisë kombëtare për zhvillimin e sipërmarrjes tek gratë.
Në ndërkohë, Kanadaja si një nga shtetet lidere në botë për barazinë gjinore që siguron edhe kushtet më të mira për biznesin e grave, do të ndihmojë dhe mbështesë sipërmarrjen e grave në Maqedoni. Programi për mentorim, zhvillim dhe qëndrueshmëri që e realizojnë ekspertëve kanadez nga organizata CESO-SAKI, zhvillohet në bashkëpunim me organizatën “Maqedonia 2025”.
“Projektet që Kanadaja i përkrah përmes Fondit kanadez për iniciativa lokale, janë në përputhje me prioritetet tona që tu japim grave dhe femrave më shumë fuqi, përforcimit lokal të barazisë gjinore, dhe rritjes së sigurisë dhe paqes”, thotë Kati Çaba, ambasadorja e Kanadasë në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Eksperti nga Kanada, Denis Xhouns, ka dëgjuar me kujdes në trajnimin dyditor storiet e shtatë grave sipërmarrëse nga Maqedonia dhe ka përcjellë në mënyrë adekuate përvojën e tij, me qëllim të përmirësimit të pozitës së tyre në treg, si dhe në sferën shoqërore të jetesës.
“Sipërmarrja e grave në Maqedoni akoma nuk është në nivel të kënaqshëm dhe ballafaqohet me probleme të ndryshme siç janë mungesa e punëtorëve, furnizimi me materiale, ndërsa mungojnë edhe trajnime adekuate për të fituar shkathtësitë e nevojshme. Në trajnimin me ekspertët kanadez kemi rrëfyer problemet me të cilat ballafaqohemi në praktikë për çka kemi fituar edhe zgjidhje konkrete nga trajneri Xhouns”, thotë Izabela Sokollovska nga organizata “Maqedonia Kreative”.
Trajnerët e tjerë kanë punuar me sipërmarrëset për rrjetëzimin e tyre, rritjen e eksportit, si dhe ndërlidhjen e tyre me klasterët e tjerë në Ballkan. “Një ndihmë e tillë kanadeze ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e biznesit tek gratë në Maqedoni si në aspektin e zhvillimit të ideve të reja, por edhe qëndrueshmërisë dhe rritjes së sipërmarrjes ekzistuese”, thotë Valentina Disoska, kryetare e Shoqatës së Grave Sipërmarrëse të Maqedonisë.
Ndryshe, projekti financohet nga Fondi kanadez për iniciativa lokale, si dhe përkrahet nga ambasada e Kanadasë në Maqedoni, ndërsa synon të përforcojë sipërmarrjen e grave dhe barazinë gjinore në Maqedoni. (koha.mk)