Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 qershor – Të jesh sipërmarrës i suksesshëm në Maqedoni, aspak nuk është punë e lehtë, por nuk është as e pamundur, shkruan gazeta KOHA. Afaristët e rinj thonë se një gjë e tillë kërkon vizion, si dhe kreativitet të përditshëm në biznes, përkrahje nga më të afërmit që të mos demoralizoheni për shkak se e tërë barra, si juridike ashtu edhe ekonomike, bie mbi vetë sipërmarrësin. Sipërmarrësit e etabluar në treg sugjerojnë që të rinjtë e interesuar thjeshtë të fillojnë me biznes që nënkupton edhe hulumtimin e detajuar të tregut, konstruksionin financiar si dhe faktin se prodhimi apo shërbimi juaj do të zgjidh një problem të caktuar në shoqëri. Nuk duhet anashkaluar as konsultimin me sipërmarrësit tjerë si dhe mospasjen frikë të rrezikohet një apo dy vite të jetës për zhvillimin e biznesit. Nga ana tjetër, sipas anketës së Biznes kafe Maqedoni, që në çdo dy muaj në Shkup organizon shoqërim të sipërmarrësve të suksesshëm të sferave të ndryshme që këmbejnë informacione, ndajnë përvojat e tyre dhe nxisin edhe të rinjtë të fillojnë me biznes, të anketuarit vlerësojnë se frika nga dështimi është shkaku kryesor që i pengon njerëzit të fillojnë me biznesin e tyre, në rend të dytë është mungesa e kapitalit, ndërsa faktor i tretë kufizues i zhvillimit të bizneseve të reja janë ndryshimet e shpeshta ligjore që kanë të bëjnë me sipërmarrjen e vogël. Mungesa e ideve të reja, njohurive në sipërmarrje si dhe përkrahja e pamjaftueshme e mjedisit, gjithashtu janë përgjigjet më të shpeshta të të anketuarve lidhur me atë se pse nuk fillojnë biznesin e tyre vetanak. Olivera Kostovska nga Shkupi prej vitit 2015 e ka hapur “Laundry Cafe” në Shkup, ku ofron shërbimet e larjes, tharjes dhe hekurosjes së teshave, që si ide e ka huazuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka qëndruar gjatë shkollës së mesme, ndërsa fillimisht e ka financuar me grantin e vetëpunësimit.
“Sipërmarrësi për mua është njeri me vizion që sjell risi dhe kreativitet në punë, si dhe do të investonte tërë kursimin e tij në diçka që beson se do të ketë sukses në treg. Njeri që është i gatshëm të investojë mund dhe 24 orë angazhim në biznes, që nuk turpërohet të punojë të gjitha funksionet në biznes si dhe nuk ka frikë të fillojë biznes në fushën, me të cilat paraprakisht shumë pak apo aspak nuk ka qenë e afër me të, gjegjësisht nuk ka qenë i angazhuar në aspekt profesional në atë lëmi”, thotë për KOHA, Kostovska.
Sipas saj, sfidat kryesore për sipërmarrësit e rinj janë financat, për shkak se në momentin kur të rinjtë kreativ dhe me vizion përllogarisin se ju nevojitet së paku 10-15 mijë euro, atëherë sikur heqin dorë, zvogëlohet kreativitetit dhe dëshirojnë të hyjnë në ndonjë vend të sigurt. Gjithashtu edhe njohuritë si dhe përvoja paraprake e punës janë gjërat që ju mungojnë sipërmarrësve të rinj.
“ Të rinjtë e interesuar nevojitet që thjeshtë të fillojnë me biznes, që nënkupton edhe hulumtimin e detajuar të tregut, konstruksionin financiar si dhe faktin se sa prodhimi apo shërbimi juaj do të zgjidh një problem të caktuar në shoqëri, mundësinë e financimit përmes organizatave të ndryshme, të mos frikësohen të konsultohen me sipërmarrës të tjerë dhe të mos druajnë të rrezikojnë një apo dy vite të jetës së tyre për zhvillimin e biznes ideve të tyre, si dhe të hollat e tyre. E gjithë kjo paraqet një përvojë që çdo kund çmohet“, potencon ajo.
Sipas saj, ia vlen të mendohet edhe për partneritet në biznesin e parë me afarist të besueshëm . Gjithashtu çdo sipërmarrës në letër e planifikon se shërbimin apo prodhimin e tij shumë më lehtë do ta plasojë në treg, ndërsa pas fillimit të punës dalin shumë harxhime të paparashikuara. Sipërmarrësit e tjerë me përvojë shumëvjeçare, që tregojnë përvojën e tyre se si kanë hyrë në biznes, cilat janë sfidat më të mëdha në praktikë dhe si arrijnë të mirëmbajnë biznesin, thonë se rrugëtimi ndër vite në zhvillimin e biznesit ka telashe, por edhe kënaqësi të ecurisë pozitive që nga hyrja, mbijetesa, por edhe sukseseve që nuk mungojnë, jo vetëm në aspekt të rezultateve financiare, por edhe kontributit për mbarë shoqërinë.
Sipas pronarit të kompanisë “Kabtel”, Goran Mitreski, që para 16 vitesh në vend se të ikë jashtë shtetit, vendosi të fillojë biznesin e tij në Maqedoni që sot ka 55 të punësuar, arritja e balancës midis jetës private dhe punës paraqet sfidën kryesore për çdo afarist të suksesshëm.
“Unë sipërmarrësin e shikojë në majë të piramidës ku çdo kush duhet të udhëheqë dhe menaxhojë dhe balancojë me raportet ndër të punësuarit, respektin që duhet ta fitojë në shoqëri gjegjësisht përgjegjësinë shoqërore, besimin në komunitetin e biznesit. Njëherazi duke pasur kohë të mjaftueshme për angazhimet familjare. Vlerësoj se arritja e një balanci të tillë është i domosdoshëm , ndërsa paraqet edhe detyrën më të vështirë që qëndron para çdo sipërmarrësi”, vlerëson për KOHA Mitreski. Sipas tij, çdo sipërmarrës duhet të ketë së paku katër të punësuar, te të cilët ka besim maksimal, si dhe ekip të mirë që e kupton vizionin e kompanisë. Kjo nga njëra anë është vështirë të krijohet, ndërsa nga ana tjetër paraqet garanci për sukses në punë. Në ndërkohë, mungesa e ideve të mira, njohuritë dhe frika nga dështimi janë pengesat kryesore të sipërmarrësve. Burokracia e madhe shtetërore, tatimet e larta, pamundësia për pagesën e kërkesave në afat jo shumë të gjatë, ligjet e paqarta si dhe rrjetëzimi apo mos-lidhja e mjaftueshme e bizneseve vlerësohet të jenë problemet kryesore që i mundojnë sipërmarrësit në Maqedoni. Në rast se do të kishin “ shkop magjik”, që të përmirësojnë kushtet e biznes-bërjes, ato do të thjeshtësonin dokumentacionin, do të mundësonin mbylljen më të thjeshtë të firmave, do të vendosnin afat pagese prej 30 ditësh, edukim të popullatës për sipërmarrje që nga shkolla fillore, rrjetin e mentorëve që do tu ndihmojnë sipërmarrësve të rinj, si dhe rrjetëzimin e bizneseve të reja në Maqedoni dhe jashtë saj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara