Sipas ministres Shahini, kërkesat e studentëve në Shqipëri janë adresuar

Ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Besa Shahini, deklaroi sot se “nuk është e nevojshme të bëhen ndryshime ligjore për katër nga kërkesat e studentëve për ndryshimin e 4 neneve të Ligjit të Arsimit të Lartë”, raporton ATSH.

Gjatë raportimit në Komisionin e Medias, ministrja Shahini theksoi se “nuk i shohim të domosdoshme që këto ndryshime të adresohen si ndryshime ligjore. Ne me VKM, dy nga çështjet e studentëve i kemi adresuar tashmë. Këto katër ndryshime në ligjin e Arsimit të Lartë kërkojnë rritjen e përfaqësimit të studentëve nga masa 10-50% në senatet e universiteteve, njëkohësisht rritjen e përfaqësimit të studentëve nga 10-50% në organet e tjera, që vendosin për zgjedhjen e dekanëve dhe rektorëve, si dhe një përfaqësues nga studentët tek bordet e menaxhimit”.

Sipas saj, senati i Universitetit është një organ që kërkon një lloj ekspertize të posaçme, që studenti nuk e posedon.

“Që të jesh anëtar në senat duhet të kesh një gradë shkencore , profesor ose doktor dhe personat duhet të kenë studiuar në një vend të Bashkimit Europian, apo rezident. Në rast se kjo nuk është e mundur mund t’i lihet kjo një personi që ka studiuar në Shqipëri”, bëri të ditur Shahini.

Nuk ka në asnjë vend, shtoi ajo, që studenti të përfaqësohet në masën 50% në senat.

“Fryma e përfaqësimit të studentëve në senat është të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie, nuk është fryma të jetë pjesë e vendimmarrjes. Kjo është ajo që pamë në universitetet e BE-së”, theksoi Shahini.

Lidhur me bordin e menaxhimit, ministrja Shahini u shpreh se “logjika e themelimit të bordeve është që ata që financojnë të përfaqësohen më shumë në borde. Aty ku universiteti ka arritur të ngre fonde të veta ka përfaqësi shumicën në bord, aty ku qeveria mbulon pjesën më të madhe të shpenzimeve ka shumicë të përfaqësisë në bord”.

“Ne për hir të transparencës dhe llogaridhënies kemi marrë një vendim në dhjetor ku do të shkarkojmë të gjithë përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit që janë në bordeve që të bëjmë një proces të ri zgjedhjeje plotësisht transparent”, tha Shahini.

Ajo sqaroi se kemi bërë thirrjen publike për përfaqësues të rinj dhe një nga përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit do të zgjidhet nga vetë studentët.

Po ashtu ministrja bëri të ditur se “kemi themeluar portalin e transparencës, që do të bëhet institucional brenda muajve të ardhshëm. Aty do të botohen të gjitha vendimet e senateve, të gjitha buxhetet në mënyrë që edhe studentët që nuk janë të përfaqësuar në shkallë studentore apo senat do të marrin pjesë në vendimmarrje duke qenë të mirëinformuar”.

Ndërsa opozita u shpreh kundër qëndrimeve të ministres.

Deputetja e PD dhe njëkohësisht kryetare e komisionit parlamentar të Medias, Albana Vokshi tha se “Pakti i qeverisë për Universitetin është mashtrim. “Ju po pranoni që pakti nuk i ka plotësuar kërkesat e studentëve. Atëherë pse po mashtroni që thoni që Pakti i ka plotësuar kërkesat e studentëve. Pse i mashtroni studentët? Ju vetë po thoni që jeni kundër disa kërkesave të studentëve. Mua më vjen mirë që pranuat që nuk janë plotësuar. Në nderin tuaj është që të dilni dhe t’i thoni studentëve dhe pedagogëve që nuk mundemi dhe nuk i kemi plotësuar disa prej kërkesave. Ju po pranoni që Pakti është një mashtrim”, u shpreh Vokshi.

Ministrja Shahini u përgjigj se “përkundrazi pakti i ka adresuar këto kërkesa të studentëve dhe nuk kemi nevojë të bëjmë ndryshime ligjore të tjera”.

Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet se studentët po mashtrohen

“Kryeministri ka treguar që nuk e mban fjalën. Studentët u ngritën ndaj qeverisë që nuk i përfill. U ngritën ndaj tarifave të larta. Këto amendamente që i keni janë zgjidhja e asaj që studentët kërkojnë. Kërkesat e studentëve të kthehen në ndryshime ligjore. Pakti për Universitetin 3D është jo real”, tha deptetja Kejdi Mehmetaj.