Sindikata e Pavarur e policisë ka përsëritur ankesën se një kohë të gjatë zyrtarët policorë nuk janë furnizuar me uniforma të reja, prandaj prej sot do të shihen policë me jelekë të verdhë me shenjën e policisë. Kryetari i kësaj sindikate, Goce Dellçev Todev, deklaroi se policët në mungesë të uniformës po detyrohen të gjenden vet, duke blerë uniforma nga tregjet jolegale.
“Disa gjenerata të policisë që u pranuan në kuadër të MPB-së, nuk janë pajisur me uniforma adekuate, prandaj prej sot i informojmë qytetarët se policët punën në teren do ta kryejnë të veshur me jelekë të verdhë, të cilët do të kenë edhe shenjën e policisë. Patjetër më duhet të theksoj se në Buxhetin republikan dhe të ministrisë ka mjete, por tenderi që ishte shpallur para një kohe ishte joadekuat, pasi sipas informatave jozyrtare, pjesa e rregullores që kanë të bëjnë me standardet, ishte e mundur të realizohet vetëm me blerjen e uniformave nga ShBA-të”, tha Goce Delçev Todev nga Sindikata e Pavarur e Policisë.
Por, nga MPB i vlerësuan si të pavërteta pretendimet e sindikatës së pavarur të policisë për mungesën e uniformave, pasi në rrjedhë e sipër është furnizimi me uniforma.
“MPB intensivisht punon në mundësimin e kushteve adekuate për zyrtarët policorë, me qëllim të përmirësimit të kualitetit të kushteve për punë, pasi pa kushte adekuate nuk mund të prisni as kushte të tjera. E vetmja që ishte e vërtetë nga jo që than është se në 10 vitet e kaluara nga udhëheqësia e kaluar nuk ishin siguruar uniforma, nuk u rinovuan stacionet policore dhe pikërisht për shkak të kësaj pas ndryshimeve të udhëheqësisë së MPB-së janë marrë masa adekuate që ato çështje të përmirësohen”,- theksoi zëdhënësi i MPB-së.
Po ashtu nga MPB njoftuan për zbulimin e rreth 40 rasteve të punësimeve me diploma të falsifikuara të shkollës së mesme apo fakultetit, ndaj të cilave janë marrë masa adekuate përfshirë edhe vendimet për largim. Në mesin e zyrtarëve policorë me diploma të falsifikuara janë ish-zëdhënësja e SPB – Kumanovë, zëvendëskomandanti i Njësitit “Alfa”, si dhe një zyrtar policor që ka qenë edhe profesor universiteti.
Sindikata e Pavarur e policisë shprehu mbështetje ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me njoftimin se janë zbuluar 40 persona që ishin punësuar me diploma të falsifikuara dhe kërkuan që të punësohen kuadro me diploma adekuate. /tvm2/