Shkup, 28 tetor – Sindikata diplomatike kërkon që shteti të jetë më i kujdesshëm në emërimin e ambasadorëve dhe mos të lihen vende të zbrazëta, siç është rasti me përfaqësinë në NATO që është pa ambasador pikërisht kur vendi pret të bëhet anëtare e 30 e Aleancës, transmeton gazeta KOHA.
Kreu i kësaj sindikate, Zoran Dabiq, thotë se gjatë emërimit të ambasadorëve, presioni politik vazhdon të jetë i lartë, megjithëse pranon që ka raste kur të njëjtit emërohen në bazë të profesionalizimit.
“Në aspektin profesional mendoj se dëmi është shumë i lartë, për shkak se pikërisht në këtë ambasadë ku unë kam qenë ambasador, ka një vit që nuk kemi ambasadorë të emëruar, ndërsa kemi zëvendës të cilët ndryshohen vazhdimisht edhe atë në një kohë kur ne duhet të jemi të pranishëm vazhdimisht, ndodh në vitin kur po aplikojnë standarde të NATO-s, kur jemi të pranishëm në të gjitha takimet dhe kur presim që të jemi pjesë edhe e vendimeve të NATO-s”,- tha Zoran Dabiq nga Sindikata Diplomatike.
E themeluar vetëm rreth tre javë më parë, Sindikata Diplomatike ka dorëzuar 4 kërkesa në Ministrinë e Jashtme. Ndër më prioritaret është tërheqja e sistematizimit të vjetër dhe miratimi i një sistematizimi të ri.
Në mesin e kërkesave qëndron edhe ajo për përfshirjen e Sindikatës në miratimin e Ligjit të ri për Punë të Jashtme dhe ndryshime joselektive në të, reforma në procedurën e referimit jashtë shtetit, avancimi i diplomatëve të rinj, për formimin e të cilëve, si thonë, duhen dekada të tëra. Deri më tani në këtë sindikatë ka rreth 90 anëtarë.(koha.mk)