Shkup, 8 korrik – Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i kanë ndërmarrë të gjitha masat për zbatimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare sipas udhëzimeve dhe protokolleve për mbrojtje shëndetësore.
Në praninë e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë KShZ ka simuluar mënyrën e votimit në kushte reale, duke filluar nga ardhja e qytetarëve në vendvotim, pritja, hyrja, dezinfektimi, identifikimi dhe votimi.
Ata ftuan të gjithë që janë të përfshirë në procesin zgjedhor që t’i respektojnë masat shëndetësore, gjatë zgjedhjeve.
“Kjo është një sfidë për të gjithë neve pasi për herë të parë organizohen zgjedhje në kohë pandemie, mirëpo ne si KShZ të gjitha rekomandimet të cilat na i ka dorzuar komisioni për sëmundje invektive duke i respektuar të gjitha masat jemi të përgaditur për ditën e votimit por edhe për më datë 13-të dhe 14 kur do të mbahen votimet për të sëmurit dhe të infektuarit me Covd-19” – deklaroi Ditmire Shehu, Nënkryetare e KSHZ-së.
Në simulim mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili theksoi se janë respektuar të gjitha rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe se qytetarët do të mund të votojnë të sigurt.
“Gjithçka zbatohet siç e ka parashikuar Komisioni për Sëmundje Ngjitëse. Nuk ka asnjë lloj rreziku. Ka kushte që të përmbushet principi i masave preventive si dhe protokollet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse tërësisht të implementohen. Besoj se edhe në ditën e zgjedhjeve votuesit do të dalin pa u brengosur se shëndeti i tyre mund të jetë i rrezikuar” – tha Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Mesnatën e së mërkurës skadon afati i paraqitjes për votim për personat që janë pozitiv me Covid 19, ose që ndodhen në izolim shtëpiak. Deri më tani vetëm 137 prej tyre janë paraqitur për të votuar .
Gjithashtu janë paraqitur edhe 3138 të sëmurë dhe të pamundur. Personat në izolim do të votojnë të hënën më 13 korrik, ata që janë paraqitur për votim do të vizitohen nëpër shtëpitë e tyre nga ana e bordeve të veçanta zgjedhore, të përbërë nga 3 punonjës shëndetësorë dhe përfaqësues të partive politike.