Kanceri i stomakut rrjedh nga mukoza e brendshme e stomakut. Sumundja shfaqet ngadalë dhe në heshtje, pa shfaqur simptoma në fillim. Shpesh ky lloj kanceri lidhet me infeksionin helikobakter pilori, i cili gjendet në mukozën gastrike (të stomakut) dhe transmetohet me anë të gojës. Sipas Organizatës Botërore Shëndetësore, kjo baktere është shkaku kryesor apo fajtori numër një i shfaqjes së kancerit në stomak. Për simptomat më të zakonshme, diagnozën dhe trajtimin e kësaj sëmundje biseduam me Dr. Vladimir Avramoskin, specialist në kirurgjinë digjestive, dhe me Dr. Deva Petrova, onkologe në spitalin klinik “Acibadem Sistina”.
Simptomat
Kanceri i stomakut është një sëmundje e cila shfaqet në heshtje dhe zakonisht simptomat shfaqen atëherë kur sëmundja ka arritur në fazë të avancuar, në fakt, simptomat varen nga lokalizimi i kancerit në stomak. Nga ana tjetër, nëse simptomat shfaqen, shpesh janë të ngjashme edhe me sëmundje të tjera, prandaj, ndodh që të lihen mbas dore si nga ana e pacientit ashtu edhe nga ana e mjekut. Simptomat më të zakonshme janë: humbja e peshës trupore, dhimbja e stomakut, të përziera dhe të vjella, anoreksi, vështirësi në gëlltitje, gjakderdhje të brendshme, të ndjerit të ngopur shpejtë. Vetëm një numër i vogël i pacientëve nuk kanë simptoma edhe pse sëmundja ka arritur në fazë të avancuar.
Si shfaqet kanceri në stomak?
Karakteristikat gjenetike si dhe faktorët e mjedisit ndikojnë në zhvillimin e shumë sëmundjeve duke përfshirë këtu edhe kancerin në stomak. Mendohet se në 10% të rasteve, kjo sëmundje përhapet edhe në familje. Personat, familjarët më të afërt të të cilëve kanë vuajtur nga kanceri në stomak, kanë 2-3 herë më shumë gjasa që të sëmuren nga kjo sëmundje, në krahasim me personat e tjerë të cilët nuk kanë histori familjare të kësaj sëmundje. Megjithatë, për të pranuar se kanceri i stomakut është një sëmundje e trashëguar, duhet të plotësohen tre kushte: të paktën tre raste të kancerit në stomak, ku dy prej të cilëve janë anëtarë që i përkasin shkallës së parë të lidhjes familjare; të sëmurë nga ky lloj kanceri të paktën dy breza njëri pas tjetrit, ose nëse ndonjëri nga anëtarët e familjes është nën moshën 50 vjeçare dhe është i prekur nga kjo sëmundje.
Diagnoza
Simptomat e para të kancerit në stomak janë problemet me tretjen e ushqimit. Kjo është një simptomë e cila për një kohë të gjatë lihet mbas dore nga ana e pacientit. Gjëja më e rëndësishme është që fillimisht të kryhet kontrolli, të shqyrtohet historia mjekësore, si dhe të bëhen disa teste të caktuara. Një metodë efektive për gjetjen e diagnozës është gastroskopia, procedurë e cila lejon një vizualizim të drejtpërdrejtë në brendësi të traktit gastro – intestinal. Gjatë kryerjes së gastroskopisë duhet të bëhet edhe biopsia. Në kryerjen e testeve të tjera shtesë bën pjesë edhe skanimi CT (tomografia kompjuterike).
Si trajtohet? Trajtimi i kancerit në stomak varet nga lloji dhe faza e kancerit në të cilën është diagnostikuar. Trajtimi efektiv dhe i qëndrueshëm i kancerit në stomak është intervenimi kirurgjik, i cili rrit shkallën e mbijetesës tek pacientët nëse kryhet në fazat e para të sëmundjes. Në trajtimin e kancerit në stomak aplikohet edhe kimioterapia dhe radioterapia. Këto trajtimi zakonisht aplikohen para ose pas intervenimit kirurgjik. Kimioterapia pengon rritjen dhe përhapjen e qelizave të kancerit, ndërkohë që me anë të radioterapisë dhe zbatimit të TRILOGY arrihet një kontroll lokal më i mirë i sëmundjes.