Shkup, 15 dhjetor – Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO) përshëndet miratimin e Propozim Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lexim të dytë pa asnjë ndryshim dhe amendamentin e pranuar nga ana e Komisionit për çështje Evropiane të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, thuhet në kumtesën e sekretariatit.
Gjithashtu, pritet që ky Propozim ligj që parasheh zyrtarizimin e gjuhës shqipe të miratohet në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Siç thuhet në kumtesë, miratimi i Propozim ligjit për gjuhët dëshmon edhe njëherë vullnetin politik të shumicës parlamentare për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe reformave që janë të nevojshme për procesin integrues të vendit.
Ky propozim-ligj është një nga kushtet që duhet të plotësohet dhe të parashihet në Planin e Qeverisë reformatore 3-6-9 për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.