Tifozët e Interit duhet të presin të paktën edhe 3 vite të tjera për të parë Diego Simeonen në stolin e skuadrës së tyre. Edhe pse Atletico Madrid nuk ka patur ndonjë ecuri impresionuese në këtë sezon, drejtuesit e Los Colchoneros kanë blinduar trajnerin e tyre me një kontratë të re deri në verën e vitit 2022 duke e zgjatur edhe me 2 sezone marrëveshjen që skadonte në vitin 2020.
Mesa duket e ardhmja e Diego Simeones do të vazhdojë të jetë e lidhur ngushtë me atë të Los Colchoneros pasi argjentinas është i dashuruar me bardhekuqtë nga Madridi ashtu siç shkruhej edhe në postimin e Atleticos në Twitter ku njoftohej rinovimi i 48-vjeçarit, me klubin kryeqytetas që ka zgjedhur pikërisht ditën e të dashuruarve për ta bërë publike marrëveshjen e re.
Pas këtij rinovimi të rradhës, nuk do të ishte aspak çudi që El Cholo të ndjekë gjurmët e Alex Ferguson dhe Arsene Wenger të cilët qëndruan për shumë se 20 vite në stolin e të njëjtës skuadër. Diego Simeone është pjesë e Atleticos së Madridi që nga 23 dhjetori i vitit 2011 teksa në këtë periudhë ka arritur të fitojë plot 7 trofe me Los Colchoneros mes tyre edhe 1 La Liga dhe 2 Europa League.