Radhitja e prioriteteve në politikbërje është mjaft me rëndësi, andaj duhet gjetur një model i kombinimit të asaj më pak simbolike dhe më shumë esenciale. Ne duhet të bëjmë zgjedhjen a do futemi në istikame që nuk na garantojnë të ardhme, apo do mundohemi të ndërtojmë ura që vetvetiu simbolikat do ti bëjnë kërkesa të atyre që sot edhe mund ti refuzojnë
Nga Arjanit HOXHA
Po bëhen një muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut dhe partitë politike ende janë në fazën fillestare të negociatave për formimin e shumicës së re parlamentare. Ajo që bie në sy më shumë kohët e fundit është se i gjithë debati që po zhvillohet, si duket ka humbur esencën dhe gjithë koncentrimi është fokusuar në simbolikën e çështjeve të caktuara.
Shtetin e presin procese shumë të rëndësishme për sa i takon reformave rrënjësore, sidomos ato në gjyqësor, si dhe procese të tjera që janë të lidhura drejtpërdrejt me rrugën e integrimeve në Bashkimin Evropian. Një nga elementet kyçe me të cilën ballafaqohet shoqëria jonë është krimi dhe korrupsioni, elemente negative këto që i hasim në çdo sferë të shoqërisë, duke nisur që nga sportelet më të thjeshta të administratës e deri te strukturat më të larta. Të gjithë dakordohen njëzëri se ky shtet mund të ketë ardhmëri vetëm nëse arrin të çrrënjosë krimin dhe korrupsionin jo vetëm nga institucionet, por edhe nga vetëdija e përgjithshme e përditshmërisë së shoqërisë sonë.
Maqedonia e Veriut është një shtet i vogël me një pozicion jashtëzakonisht të volitshëm. Ky shtet mund të menaxhohet me komoditet dhe lehtësi, por si duket mungon vullneti edhe politik, por edhe profesional për të drejtuar këtë vend ashtu si i ka hije. Mjafton të ndalet korrupsioni dhe në vendet udhëheqëse të vendosen njerëz, të cilët menaxhimin e shtetit do ta kishin bërë me profesionalizëm dhe përgjegjësi sikur të menaxhonin të ardhurat e familjes të vet. Me këtë numër popullsie dhe me këtë buxhet që ka në dispozicion shteti, mund të bëhet mrekulli dhe ky vend të shndërrohet në një oazë ekonomike me mirëqenie të lartë dhe standard jetësor optimal për kushtet e shteteve në gadishullin Ballkanik. E di që, gjithë atë që e lexuat më lart tingëllon bukur dhe shumica mund të thonë që kjo është shumë idealiste, por e pa realizueshme, ndërsa unë jam i bindur se është e realizueshme dhe po vjen koha që një gjeneratë e re politikanësh këtë ta bëjnë realitet.
Nëse ne duam që ky vend të prosperojë, duhet të krijojmë kushte të volitshme për investitorët e huaj, në kuptimin e besueshmërisë se investimi i tyre nuk do jetë i rrezikuar nga burokracia shtetërore, sepse sa i takon sigurisë biznesore, tashmë si vend anëtar i NATO-s, veçmë jemi në epërsi si destinacion i sigurt për investime. Ajo që duhet ne të bëjmë – mjafton ti tregojmë investitorëve se nuk do të kenë nevojë të japin ryshfet për të realizuar investimet e tyre konform rregullave dhe normave ligjore.
Për të arritur këtë shkallë të menaxhimit me shtetin, detyrimisht duhet të luftojmë krimin dhe korrupsionin e të gjitha niveleve, por parashtrohet pyetja se si mund të pastrojmë shoqërinë tonë nga këto dukuri kur deri më sot, pas gjithë atyre skandaleve të paraqitura, pas gjitha “bombave” që dëgjuam këto vite, shumë ish-funksionarë mbetën të paprekshëm, madje disa u bënë edhe aktorë dhe faktorë kryesor edhe në pazaret politike?!
Kur gjithë këto elemente i vendosim në një peshore, dhe nga ana tjetër shohim se si thuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk kemi një zhvillim dinamik dhe askush nuk po bisedon se çfarë procese na presin, se sa do jenë të rëndësishme reformat, se si të krijohet një qeveri, e cila për herë të parë do të ketë edhe ulëse në vendin e barabartë mes të barabartëve në aleancën veri-atlantike të NATO-s, dhe funksionarët që do të jenë pjesë e kësaj qeverie duhet të jenë pa asnjë njollë nga e kaluara, gjë që është shumë e rëndësishme për gjitha proceset që na presin si shtet. Mirëpo, si duket për disa aktorë politik më të rëndësishëm janë pozicionimet kadrovike dhe jo esenca e gjithë procesit – reforma, reforma dhe vetëm reforma.
Tash mund të kthehem në fillimin e kësaj kolumne – se gjithë procesi po humb kuptimin pasi debatet janë rikthyer në realizimin e simbolikave dhe jo të çështjeve esenciale. Duke u nisur nga rrethanat e krijuara dhe duke marrë parasysh se tema kryesore e ditës nuk është se a do lejojmë që fëmijët tanë të vijojnë mësimin në shkolla të vjetra, me hapësira të kufizuara, nga 40 nxënës në një klasë, apo tjetra, ku ende vendbanimet që duhet të jenë elitare, por që janë me shumicë shqiptare dhe ballafaqohen me probleme elementare jetese ku nuk ka kanalizim, ujësjellës, rrugë, trotuare, apo ku ndërtimet e egra prishin jo vetëm pamjen e lagjeve, por edhe vendosin në rrezik jetën e qytetarëve… dhe të gjitha këto tema neglizhohen vetëm për t’i dhënë prioritet simbolikave, që më shumë shërbejnë për të plotësuar egon individuale për të shënuar edhe një arritje në raftet e tyre të triumfit, gjë që pak a shumë nuk dallon nga gjuetarët, të cilët e ndjekin gjahun jo për të siguruar ushqimin, por për të marrë kokën e gjahut si medalje suksesi.
Prandaj, çështja që tani parashtrohet është se cila ka më shumë rëndësi, simbolika e cila do jetë një satisfaksion që do shkruajë historia dhe do mbahet mend, apo esenca e gjithë kësaj që është reforma rrënjësore, rritja ekonomike, përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe angazhimi për një jetë më të mirë dhe më dinjitoze për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, një ambient ku do t’i imponojë rinisë tonë që perspektivën e vet ta sheh në vendlindje dhe jo jashtë saj.
Radhitja e prioriteteve në politikbërje është mjaft me rëndësi, andaj duhet gjetur një model i kombinimit të asaj më pak simbolike dhe më shumë esenciale. Ne duhet të bëjmë zgjedhjen a do futemi në istikame që nuk na garantojnë të ardhme, apo do mundohemi të ndërtojmë ura që vetvetiu simbolikat do ti bëjnë kërkesa të atyre që sot edhe mund ti refuzojnë. Skena politike në Maqedoninë e Veriut tashmë ka marrë një pamje të re forcat politike pro-evropiane, të cilat hapërojnë me vlerat dhe trendet integruese në Bashkimin Evropian. Pa hamendje do zgjedhin rrugën e progresit, reformës dhe ndryshimit, gjithë ata që nuk do jenë të gatshëm të shkëputen nga krimi dhe korrupsioni në radhët e veta, jo vetëm që rrezikojnë organizimin e vet politik, por do të jenë fajtorë që do dënojnë një gjeneratë të tërë vetëm për të mbrojtur një grusht njerëzish, të cilët në emër të idealit, kombit dhe shqiptarisë, u pasuruan për aq sa varfëruan popullin në gjithë këto vite në skenën politike.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)