Në morinë e shumë imazheve tërheqëse që do të shtynin dikë t’i zgjidhte si shoqërues të përhershëm në trup në formën e tatuazheve, ka edhe nga ata që mbartin nën lëkurë simbolet kombëtare. Patriotizmi i endur imët nën lëkurë është një fenomen që tërheq vëmendje sidomos përballë valës gjithnjë e më të përhapur të populizmit. Fotografja e fokusuar në dokumentimin e çështjeve sociale dhe të drejtat e njeriut në Tiranë, Loreta Cuka realizoi këtë seri fotosh me persona që kanë tatuazh simbole kombëtare.
Ndjesia e krenarisë për kombësinë dhe historinë e Shqipërisë janë disa nga arsyet kryesore, të cilat kanë shtyrë qytetarët të kenë tatuazhe të tilla, ndërsa malli për Shqipërinë nga mërgimi është gjithashtu një ndër arsyet që shpjegon dëshirën për t’i pasur ato. Shqiponja dykrenare dhe portreti i heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu janë imazhet kryesore që përfaqësojnë tatuazhet, ndërsa forma, madhësia dhe dizajni variojnë nga preferencat personale. Megjithatë, të pyetur rreth tatuazheve të tyre, pjesëmarrësit e këtij fotoreportazhi zgjedhin t’i përshkruajnë ato me fjalë krenarie kombëtare dhe nostalgjie, duke i qëndruar larg superlativave nacionaliste.