Për herë të parë këtë vit, gara me fajkoj, një nga sportet më të rëndësishme të Katarit, është pjesë e Festivalit të tretë Kulturor Etnosport i cili dje filloi në Stamboll.
Organizuar nga Konfederata Botërore e Etnosporteve në Sheshin Yenikapi të Stambollit dhe e sponsorizuar nga Anadolu Agency (AA), dy fajkoj në tendën e Katarit të cilët do të bëjnë shfaqje, ishin fokusi i vizitorëve në festival.
Fajkojtë, që do të garojnë në kategori të ndryshe, do të përpiqen të arrijnë prenë e vendosur në largësi prej 400 dhe 800 metra me shpejtësi sa më të madhe.
Një fajkua i mirë, mund të arrijë cakun në distancë prej 400 metra për 20 sekonda. Fajkojtë kalojnë nëpër përgatitje të rënda me muaj të tërë për të garuar.
Khatem Muhammed Al-Mehshade, kryetar i Bordit drejtues të Shoqërisë Algannas të Katarit, për AA tha se fajkojtë nuk janë vetëm një element sportiv i Katarit, por pjesë e rëndësishme e kulturës së këtij vendi.
Ai tha se në Turqi ka ardhur me ftesë të kryetari të Konfederatës Botërore të Etnopsporteve, Bilal Erdoğan.
“Populli i Katarit dhe populli i Turqisë janë vëllezër dhe për këtë arsye jemi shumë të lumtur dhe emocionuar”, tha Al-Mehshade.
“Pamë se festivali i organizuar në Turqi qenka shumë i madh. Për fajkojtë kishte interesim të madh. Ne duam të mbështesim vëllezërit tanë turq dhe gjithnjë të marrim pjesë në këtë organizim”, shtoi Al-Mehshade, i cili në festival përfaqëson Shoqërinë Algannas të Katarit.
Ai nënvizoi se gara me fajkoj është pjesë shumë e lashtë e kulturës së Katarit.
“Rreth 70 për qind e popullit në Katar e bën këtë sport dhe interesohet për të. Sporti me fajkoj është sport historik për popullin e Katarit. Fajkoi është simbol i Katarit, andaj ne vazhdimisht organizojmë festivale, gara dhe ndajmë çmime të mëdha”, u shpreh Al-Mehshade, duke theksuar se shteti dhe populli i Katarit i japin rëndësi të madhe këtij sporti.
Sipas tij, Katari dhe Turqia kanë ngjashmëri në fushën e sportit, duke shtuar se edhe Katari në muajin tetor kishte organizuar Festivalin Marmi, ku kishte pasur pjesëmarrës edhe nga Turqia.
“Te ne, sporti me fajkoj është sport gjuetie. Ndërkaq, në festival ata synojnë të arrijnë cakun. Në Turqi ka një shoqatë të personave që merren me fajkojë. Uroj që në të ardhmen të bëjmë bashkëpunim me ta”, tha Al-Mehshade.
Duke folur për çmimet e fajkojve, ai tha se ato janë të ndryshme.
“Disa fajkoj janë vërtet shumë të shtrenjtë. Të bardhit janë më të shtrenjtit dhe më të vlefshmit, sepse ata performojnë mirë në gjueti. Njerëzit e Katarit i duan shumë fajkojtë. Këtu kemi sjell një fajkua të bardhë dhe një normal. Ky është sezoni i rënies së puplave, të cilat tani janë duke dalë sërish”, përfundoi Al-Mehshade.