Ajo jeton prej vitesh në Zvicër dhe jetën e saj e ka të lidhur me vendin më të lakmuar në botë. Këngëtare e talentuar dhe artiste në shpirt, Silvi Dollapin e karakterizon edhe shpirti filantropik dhe për këtë ajo jep kontributin e saj me shumë dashuri sa herë që dikush që ka nevojë i kërkon ndihmë. Bamirësia sipas Silvit nuk të varfëron, por përkundrazi të lumturon fakti që lumturon dikë tjetër që ndoshta nuk ka mundësitë e tua. Këto e shumë gjëra që nuk i keni ditur i lexoni në intervistën për gazetën KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Silvi, kjo është një nga intervista e sinqerta dhe dua ta nis nga bukuria, cili është sekreti i bukurisë tënde?
Dhe unë si përherë do të jap përgjigjet e mia më të sinqerta. Mendoj që sekreti i bukurisë jo vetëm timen, por çdo femre, është buzëqeshja. Çdo femër kur buzëqesh është e bukur.
KOHA: Sekreti i lumturisë?
Sekreti lumturisë janë gjërat e bukura dhe me vlerë që më rrethojnë në jetën time.
KOHA: Sekreti i suksesit?
Jam një njeri shumë pozitiv dhe pse jo besimi që kam për talentin tim.
KOHA: Cili është sekreti i muzikës që bën?
Që bëj atë muzikë që dua.
KOHA: Sekreti për të bërë karrierë edhe jashtë Shqipërisë si ty?
Të punosh shumë për ato që do të arrish dhe mos të heqësh dorë kurrë nga dëshirat dhe ëndrrat!
KOHA: Sekreti i “të qenit gjithnjë e sinqertë”?
Ji vetvetja.
KOHA: Sekreti për të pasur shumë miq?
Silvi e mirë me shoqëri shumë (qesh).
KOHA: Sekreti yt për ta kaluar kollaj dhimbjen?
Mendoj për gjërat e bukura që më presin në jetën time…dhe Chiara, ilaçi shpirti tim!
KOHA: Sekreti për të larguar mërzinë?
Këndoj ndonjë këngë direkt sapo jam e mërzitur dhe e heq mendjen, harrohet mërzitja, përsëri me Chiaren pranë.
KOHA: Sekreti për t`i mbajtur larg njerëzit që s`të pëlqejnë?
Se di. Thjeshtë mund ti injorosh, mos ti japësh shumë rëndësi. Jam me parimin se indiferenca
vret më shumë se çdo gjë.
KOHA: Sekreti për t`i mbajtur njerëzit afër?
Dhuroji dashuri ose miqësi të pakushtëzuar dhe ç’është më e rëndësishmja të jesh pranë tyre në ditët e mira dhe të këqija. Unë mundohem në mënyrën time, pa zhurmë dhe publikime të bëj mirë me aq sa mundem, të ndihmoj njerëz që vërtet kanë nevojë për ndihmë. Uroj Zoti të jetë me ne gjithmonë!
KOHA: Sekreti për të mposhtur emocionet në skenë?
Besimi në vetvete. Mendo vetëm gjëra pozitive. Thuaj vetes ‘do dal të bëj më të mirën time dhe do e shijoj pafund atë moment’.
KOHA: Sekreti për të mos i pasur zili të tjerët?
Gjithmonë duhet të besosh se askush nuk është më i mirë se ty dhe se mund t’ja dalësh për gjithçka.
KOHA: Sekreti për të kaluar një ditë pa stres?
Të kem afër vajzën nuk kam më stres për gjithë jetën.
KOHA: Po sekreti për të fituar sa më tepër pikë gjatë një interviste, cili është?
Të japësh përgjigje sa më të natyrshme pra të jesh vetvetja dhe sa më e thjeshtë, aq më e bukur intervista.