Sapo ka publikuar një klip me një titull interesant dhe të çantë “Kriminale” një klip që ka gjetur vendin e tij mes dashurisë së publikut. Silvana Rusi është autorja e kësaj kënge dhe klipi e duke qenë se Silvana vjen nga konkurse muzikore si “Gjeniu i vogël” apo “X factor” e ka qenë pjesëmarrëse në festivale të ndryshme, nuk mund të prisnim diçka më pak origjinale dhe të realizuar e këto duke i treguar në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Silvana, në klipin e fundit “Kriminale”, vjen ndryshe nga herët e tjera, më hot, më agresive, më e fortë gjë që shihet jo vetëm në veshje, por edhe në interpretim. Po mesazhi që përcjell kënga, cili është?
Kriminale projekti i ri ishte një ide që erdhi shumë spontanisht, sa i përket mesazhit të këngës gjë që patjetër ka lidhje me fabulën e klipit që çdo femër duhet të jetë tepër e fortë dhe pa ju dridhur qerpiku nga dhimbja pas një ndarje që mund të ketë ndodhur për faje jo të tuat, kuptohet. Sigurisht nuk zgjidhet me armë, por po flasim për forcën e shpirtit.
KOHA: Në këtë klip të pamë jo vetëm si këngëtare, por edhe si aktore, sepse interpreton shumë bukur. Të ka ndihmuar dikush apo aktrimi është një tjetër pasion që nuk e ke shfaqur deri më sot?
Në fakt, aty çdo gjë më ka ardhur natyrshëm, por pa frikë e them se e dashuroj aktrimin.
KOHA: Kush u kujdes deri në detaj që klipi të realizohej sa më mirë?
Për këtë realizim do falënderoj shumë motrën time Beauty Center Linda që më ka bërë yll, Arjeta Palushajn për veshjet gjithashtu vëllain tim që me detaje ka parë çdo skenë të klipit që është fotograf si edhe Bledin e Max production që rri gati në çdo kohë.
KOHA: Dyshove në ndonjë çast se nuk do të mund ta realizoje ashtu siç duhej këtë klip?
Të them të drejtën kam qenë në çdo moment e acaruar (qesh), por ndihma e personave që përmenda më lart ma lehtësuan punën, (qesh).
KOHA: Më thuaj përshtypjen më të veçantë që more nga realizimi i tij…
Uhhh, e veçantë, e bukur, e lodhshme, e frikshme. Gjuajtja me armë me plumba të vërtetë, presion i madh psikologjik, eksperiencë e paharrueshme. Ndoshta do ta bëj përsëri! (qesh).
KOHA: Sa e shikon veten Silvana brenda këtij klipi?
Përveç armës që ishte gjë e re, aty 100% jam unë.
KOHA: Ku ndryshon ky klip nga klipet e tjera që ke realizuar?
Duke filluar nga titulli mendoj që ndryshon shumë duke qenë se unë kam ardhur gjithnjë e butë, këtë herë mendova të vi me atë forcën e femrës që më karakterizon dhe qe s’ma s’ndjen fare.
KOHA: Si do të jetë klipi i radhës? Apo është sekret…se me sa kam parë ti nuk e ke në plan të ndalesh…!
Klipi i radhës do jetë një surprizë e vërtetë për të gjithë, po punoj shumë s’ka pushim çdo gjë po mendohet mjaft mirë. Surprizë! Edhe për ty.
KOHA: Sa po e shijon famën e saj, Silvana?
Unë e kam thënë edhe herë të tjera nuk dua famë dua thjesht të bëj atë që dua më së shumti. Po e them që po e shijoj për të ecur më tepër përpara po më frymëzon shumë.
KOHA: Çfarë bën për të qenë gjithmonë e suksesshme dhe e dashur për publikun?
Fjalë e madhe do thosha dhe faleminderit për këtë. Ajo që dua më së shumti është të jem e dashur për publikun, sigurisht dhe suksesi ka aksesin e vet në këtë pikë për të qenë e dashur. Unë e kam thënë dhe do vazhdoj ta them se jam përherë vetvetja, këtë e thonë të gjithë, por koha vërteton ata që janë vetvetja zgjasin shumë, ti më njeh.
KOHA: Çfarë bën për t’u ndjerë gjithmonë mirë me veten, por edhe me të tjerët?
Që të ndihem mirë me veten, gjithnjë them te jesh vetja nëse familja më jep optimizëm unë jam e para që i jap vetes optimizëm dhe kjo më bën të ndihem mirë me veten time. Pastaj me të tjerët varet moj motër si të sillen.
KOHA: Silva, cilat janë vështirësitë dhe anët pozitive të të qenit këngëtare?
Kjo pjesë është ajo që shumë nuk e din, kënaqësia më e madhe është duke qenë se bën atë që dëshiron më shumë dhe din ta bësh më së miri dashuria që jep dhe merr publiku, më e vështira është kur lodhesh vokalisht dhe të duhet të performosh ose kur të ndodh ndonjë incident me veshjet në skenë.
KOHA: Më trego diçka më shumë për jetën tënde të përditshme. Me çfarë merresh, përveç këngës?
KOHA: Unë jam studente e marrëdhënies ndërkombëtare në universitetin Europian të Tiranës, kjo është ajo që bëj dhe këndimi live domethënë shkollë-pune. Edhe foto bëj për çdo dy ditë sete me vëllain, e kam çmendur.
KOHA: A ka Silvana ndonjë këngë të zemrës të cilën kur e këndon i dridhet shpirti?
Kam patjetër! Është pak e vjetër, por më rrëqeth Lara Fabian me“Adagio”.
KOHA: Në fund, ndonjë merak të ngeli nga kjo intervistë?
Ndoshta, po e rikujtojmë në intervistën e ardhshme! Faleminderit shumë për suportin e të gjithëve atyre që më njohin dhe ata që më ndjekin në rrjetet sociale. Much love!