Lisbonë, 8 janar – Portugalia do të përpiqet t’i organizojë konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në gjysmën e parë të vitit, deklaroi ministri portugez i Punëve të Jashtme, Augusto Santosh Silva, vendi i të cilit mori presidencën e radhës me BE-në më 1 janar.
Silva në brifingun onlajn për gazetarët, siç transmetohet nga Radio kombëtare bullgare, theksoi se hapja e bisedimeve të pranimit me Shkupin dhe Tiranën është mes përparësive të presidencës portugeze.
Ai theksoi se BE deri më tani i ka dërguar shumë kërkesa Maqedonisë së Veriut. Vendi duhej të kryente një numër reformash shumë të rëndësishme, madje ta ndryshonte edhe emrin e tij.
“Ata e kryen punën e tyre. Tani është koha që ne ta kryejmë tonën”, theksoi Santosh Silva.
Ai paralajmëroi se presidenca portugeze përmes bisedimeve me të dy palët do të kërkojë të tejkalohen keqkuptimet midis Sofjes dhe Shkupit.
“Tani kemi situatë të re – pyetjet e bëra nga Bullgaria. Qëllimi im është të flas intensivisht me qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sepse është shumë e rëndësishme t’i dëgjosh me kujdes argumentet e palës tjetër. Kur kjo të bëhet, mund të kuptohet lehtësisht se ekziston një bazë e përbashkët mbi të cilën mund të punohet”, përfundoi ministri portugez i Punëve të Jashtme.