Andre Silva vendos me shpatulla pas murit Milanin. Merkatoja e kuqezinjëve ka ngecur pikërisht për shkak se sulmuesi portugez nuk po shitet dot. Nga e ardhmja e Andre Silvës do të varet edhe kalimi ose jo i Angel Correas te Milani. Problemi qëndron te fakti se ish-sulmuesi i Portos pasi nuk u transferua dot te Monaco nuk kërkon të largohet por dëshiron të qëndrojë për të treguar vlerat e tij te Milani.
Nëse vendos të largohet sulmuesi i kombëtares portugeze do ta bënte këtë vetëm për t’u transferuar te Sportingu i Lisbonës. Te Milani ka shumë rivalitet në sulm pasi janë emra të tillë Piatek, Leao, Castillejo e Suso pa harruar që në repartin e avancuar mund të përshtaten edhe Paqueta, Calhanoglu e Bonaventura dhe ka pak vend për Andre Silvën, ndërkohë Sportingu e Lisbonës është i gatshëm ta marrë vetëm në formë huazimi, operacion ky që nuk i shkon aspak përshtat Milanit, që kërkon ta shesë me çdo kusht portugezin për të financuar më pas blerjen e argjentinasit Correa.