Shkup, 13 prill – Mitingje qendrore do të mbajnë këtë fundjavë në Shkup, kandidatët për president të mbështetur nga LSDM-ja dhe nga VMRO-DPMNE-ja, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska.
Sipas paralajmërimit nga shtabi zgjedhor, Siljanovska-Davkova sonte do të ketë miting qendror para Qeverisë në Shkup. Për agjendën e nesërme të Siljanovskës janë paralajmëruar mitingje në Shën Nikollë dhe Veles.
Kandidati për shef të ardhshëm të shtetit, i cili e ka mbështetjen e LSDM-së dhe koalicionit, Pendarovski, tubimin qendror në këtë fushatë presidenciale do ta mbajë nesër në orën 14:00 para ndërtesës së BE Info Qendrës.
Pendarovski sot do të ketë takime me qytetarët në Konçe, Radovish, Bosillovë, në Novo Sellë, ku do të mbahet tribunë qytetare, ndërsa për sonte në Strumicë është paralajmëruar miting me qytetarët.
Kandidati për president Blerim Reka, i cili e mori mbështetjen nga BESA dhe Aleanca për Shqiptarët sot do të mbajë miting në Gostivar, ndërsa konventa përfundimtare është paralajmëruar për më 18 prill në Tetovë.
Në fushatat e deritanishme ndër temat kyçe për të cilat kandidatët kanë dhënë qëndrime të tyre ishte Marrëveshja e Prespës, perspektivat për anëtarësimin e shtetit në NATO dhe BE, problemi me emigrimin e të rinjve, por edhe temat e përditshme politike.
Fushata zyrtarisht filloi më 1 prill, ndërsa do të zgjasë deri më 19 prill, pas çka vijon heshtje 24 orëshe zgjedhore para ditës së votimit më 21 prill.
Asambleja parlamentare e OSBE-së do të sistemojë pothuajse 50 vëzhgues, duke përfshirë edhe 31 deputetë në vend gjatë javës së ardhshme për zgjedhjet presidenciale.
Kryesuesi i OSBE-së e emëroi deputetin francez Serejn Mauborn për koordinues special i cili do ta udhëheq misionin afatshkurtër vëzhgues të OSBE-së. Deputeti austriak Reinhold Lopatka, megjithatë, do ta kryesojë delegacionin e vëzhguesve nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së.