Shkup, 20 nëntor – Shefi i diplomacisë hungareze Peter Sijatro në një intervistë për Dojçe Velen deklaroi se as vendi i tij dhe as ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski nuk ka shkelur asnjë ligj me udhëtimin e fshehtë drejt Hungarisë.
Sipas tij, nuk ka asgjë kontestuese në atë që Gruevski ka kaluar katër kufij i shoqëruar nga diplomatët hungarezë. As ky fakt nuk e bën këtë çështje politike, thotë Sijatro.
“Nuk qëndron këtu problemi. Problemi është nëse ai i ka kaluar kufijtë në pajtim me rregullat ndërkombëtare dhe ato kombëtare. Dhe përgjigja është: po, e ka bërë atë sipas rregullave. Pasi që u paraqit në Ambasadën e Hungarisë ai i ka kaluar të gjithë kufijtë deri në Hungari në pajtim me rregullat ndërkombëtare dhe kombëtare. Me dokumentacion të rregullt”, thotë Sijarto.
Shefi i diplomacisë hungareze, insiston se bëhet fjalë për një rast juridik dhe jo politik. Konfirmon se vendimi për kërkesën e azilit nga ana e Gruevskit do ta sjellë një trup i pavarur ndaj të cilit qeveria hungareze nuk ka ndikim.
“Bëhet fjalë për një procedurë juridike, e cila ka metodologji që bazohet në ligjet hungareze dhe në ato ndërkombëtare. Vendimin do ta marrë një trup relevant dhe i pavarur dhe ne si qeveri nuk kemi ndikim ndaj tij”, thotë Sijarto.
Sipas informacioneve të publikuara sot në një pjesë të mediave porqeveritare hungareze, autoritetet e atjeshme tashmë kanë marrë vendimin për kërkesën për azil të Gruevskit. Spekulohet se kërkesa është pranuar. Autoritetet e Maqedonisë ende nuk kanë një konfirmim zyrtar rreth këtij informacioni.