Shkup, 18 dhjetor – Hungaria mbetet mbështetësi më i zëshëm i orvatjeve të Maqedonisë për integrimin në BE dhe NATO. Për ne samiti i ardhshëm i NATO-s është i pakuptimtë pa çështjen e zgjerimit. Dëshirojmë edhe BE-ja të caktojë datë për fillim të bisedimeve me Maqedoninë shkurtin e ardhshëm.
Këtë sot e porositi në konferencën e sotme të përbashkët për shtyp, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Siarto me homologun e tij, shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov. Mbështetjen për Maqedoninë, elaboroi se e bazojnë në tre baza, nga të cilat dy janë nga aspekti i sigurisë, e ajo është përballja me krizën e emigrantëve të cilën Hungaria e konsideron si kërcënimin më të madh të sigurisë në dekadën e fundit për Evropën dhe nevojën për mbrojtje të kufijve të saj.
“Hungaria edhe më tej do të japë ndihmë për Maqedoninë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe e di diferencën. E dimë dallimin mes gjendjes së qetë në rajon dhe gjendjes jo të qetë. Duam që ky rajon të jetë i qetë, duam Ballkani Perëndimor të jetë burim dhe mjet për zhvillim të mëtutjeshëm evropian, në vend të rrezikut për Evropën. Gjendjet në Ballkanin Perëndimor mund të tejkalohen me integrimin e tij në NATO dhe BE. E dimë se Maqedonia dhe populli i Maqedonisë veçmë kanë bërë shumë që të integrohet në BE dhe NATO dhe Hungaria mbetet mbështetësi më i zëshëm i përpjekjeve për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Do të donim në samitin e ardhshëm të NATO-s të gjendet në rend dite zgjerimi”, tha shefi i diplomacisë hungareze Peter Siarto.
Mikpritësi i tij Nikolla Dimitrov u falënderua për mbështetjen e fuqishme nga Hungaria për integrimet euroatlantike të Maqedonisë në kontekst të planit për reforma.
“Për një kohë të shkurtër arritëm të vendosim cilësi të re në raportet me BE-në. E njoftova ministrin edhe me politikën e fqinjësisë së mirë dhe investimin tonë në marrëdhëniet e mira me fqinjët. Jemi fuqimisht të vendosur të bëjmë gjithçka që mundet që të mos e lëshojmë trenin e ardhshëm për në Evropë që hapet në vitin 2018”, tha Dimitrov.
Lidhur me bashkëpunimin ekonomik, ministri Siarto theksoi se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve vitin e kaluar është rritur për 45 për qind, ndërsa në dhjetë muajt e parë të vitit ajo shënon rritje prej 47 përqindëve. Ekziston interes për bashkëpunim në fushën e energjetikës për çka kompania e tyre energjetike tashmë ka nënshkruar tender për ndërtim të hidrocentralit, ndërsa kanë interes edhe në fushën e projekteve për ujëra të zeza.
Sipas ministrit Dimitrov, nëse trendi i rritjes së shkëmbimit tregtar vazhdon dhe në dy muajt e ardhshëm ajo mund të arrijë edhe deri në 250 milionë euro.
Në takimin e sotëm është nënshkruar edhe Plan aksional për bashkëpunim në vitin 2018 mes MPJ-së së dy vendeve me forma dhe aktivitete konkrete për avancimin e bashkëpunimit në më shumë fusha. Bëhet fjalë edhe për avancimin e bashkëpunimit në kulturë, arsim.
Ministri hungarez i Punëve të Jashtme sot do të ketë takim edhe me presidentin Gjorge Ivanov, kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi dhe me kryeministrin Zoran Zaev.