Prishtinë, 15 nëntor 2018 – Ministri i Punëve të Jashtme, i Hungarisë, Peter Sijarto deklaroi sot se problemi lidhur me kërkesën e ish kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski për azil në Hungari është juridike, e jo politike, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
“Kjo është çështje juridike, e jo politike. Mbetet që shërbimet tona kompetente ta shqyrtojnë kërkesën e Gruevskit, u përgjigj shkurt Sijarto në pyetjen e gazetarëve në konferencën për shtyp që pasdite në Prishtinë e mbajtën së bashku me nikoqirin dhe homologun e tij Behgjet Pacolli.
Shefi i diplomacisë hungareze tha se vendi i tij e mbështet Kosovën në përpjekjet për liberalizimin e vizave dhe se Bashkimi Evropian (BE) bën padrejtësi me atë që nuk i heq vizat për qytetarët e Kosovës.
“Politika jonë për t’ju mbështetur në integrim në BE dhe organizatat e tjera është e pandryshuar. Hungaria do të mbetet përkrahëse e përkushtuar e liberalizimit të vizave për Kosovën. Është e padrejtë se si sillet BE ndaj Kosovës sa i përket vizave, sepse Kosova i ka plotësuar kërkesat”, tha Sijarto, duke theksuar se Hungaria në Këshillin e Ministrave të BE-së do të votojë “për” liberalizimin e vizave.
Ai u përqendrua edhe në procesin e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për kontestet midis të dyja vendeve.
“Ne tërësisht ju mbështesim në përpjekjet tuaja që të arrini sukses në dialogun me Serbinë. Ne jemi afër Ballkanit Perëndimor dhe kuptojmë çfarë do të thotë të ketë paqe dhe stabilitet. Shpresoj se do të keni sukses në këtë proces”, ka porositur Sijarto.