Shkup, 28 mars – Mbi 60 akse rrugore në gjatësi prej 800 kilometrash do të ndërtohen, rikonstruohen dhe ripërtërihen me ç’rast janë siguruar gjithsej 270 milionë euro, paralajmëroi sot kryeministri Zoran Zaev, duke e prezentuar strategjinë dhe planet e Qeverisë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore.
Sivjet, siç theksoi kryeministri Zaev, do të kompletohen akset e autostradës Dmir Kapi – Smokvicë dhe Milladinovc – Shtip, ndërsa planifikohet të fillojë edhe ndërtimi i tre rrugëve eksprese.
“Bëhet fjalë për projekte infrastrukturore afatgjate”, theksoi kryeministri Zaev, duke shtuar se një pjesë e rrugëve do të përfundojnë sivjet.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski theksoi se janë tejkaluar të gjitha pengesat në autostradën Demir Kapi – Smokvicë dhe se pritet të lëshohet deri në fund të prillit, ndërsa autostrada Milladinovc – Shtip të përfundojë deri në fund të shtatorit.
Një pjesë e mjeteve të përgjithshme janë siguruar nga Buxheti, ndërsa një pjesë prej institucioneve ndërkombëtare.