Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 tetor – Tregu i sigurimit në Maqedoni në vitin 2016 si dhe përgjatë këtij viti është stabil. Edhe përkundër rreziqeve politike, tregojnë rezultatet financiare për vitin e kaluar. Përgjatë vitit 2016 shoqëritë e sigurimeve kanë nënshkruar 1.292.748 kontrata, që është rritje prej 7,74 për qind në raport me vitin 2015, kur janë nënshkruar 1.199.860 kontrata, shkruan gazeta KOHA. Prej këtij totali, 13.733 janë polisa të sigurimit të jetës që paraqet një rritje prej afër 60 për qind në raport me 8.683 polisa të sigurimit të jetesës në vitin 2015. Trendi i rritjes së sigurimit jetësor si dhe kasko sigurimit të veturave, ka vazhduar edhe në tre muajt e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë për Supervizion të Sigurimit, në periudhën janar – mars të këtij viti janë regjistruar 66121 sigurime jetësore në raport me 1745 sigurime jetësore të nënshkruara në periudhën janar-mars të vitit 2016. Gjithashtu, rritja e madhe e kontratave të sigurimeve jetësore ndërlidhet edhe me lidhjen e kredive konsumatore me sigurimin jetësor si garanci për pagesën e kredisë. Nga ana tjetër, sigurimi kasko i veturës është rritur prej 10.348 vetura në tre muajt e parë të vitit 2016 në 12.302 vetura në të njëjtën periudhë të këtij viti. Qytetarët në Maqedoni, të shtyrë edhe nga telashet që shkaktojnë problemet e ndryshme po orientohen të sigurojnë pronën dhe jetën e tyre, andaj edhe gradualisht edhe në vend po rritet vetëdija se sigurimi është investim i shpagueshëm në sigurinë dhe ardhmërinë e tyre.
Vërshimet dhe tërmetet që goditën Maqedoninë në vitin e kaluar u ballafaquan njerëzit me nevojën e sigurimit të pronës dhe jetës. Qytetarët në vend se të presin kompensim nga shteti, se vjen e më shumë orientohen ndaj kompanive të sigurimit. Sipas të dhënave zyrtare të Odës Ekonomike, në vitin e kaluar janë shitur tre herë më shumë polisa për sigurim nga vërshimet dhe dy herë më shumë polisa nga tërmetet. Nga Agjencia për Supervizionin e Sigurimeve thonë se në vitin 2016 janë realizuar bruto premi e polisave në vlerë totale prej 8,72 miliardë denarë që paraqet rritje të të ardhurave prej 5.34 për qind në raport me 8,28 miliardë denarë të realizuara në vitin 2015. “Kjo udhëzon në rritjen e ofertës së prodhimeve të sigurimit si dhe njohjen më të madhe të avantazheve që sjell sigurimi si mekanizëm për kompensim e humbjeve financiare nga ndodhitë potenciale me rrezik“, thotë për KOHA, kryetari i Këshillit të ekspertëve pranë Agjencisë së Supervizionit të Sigurimit, Klime Popovski.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, thonë se shoqatat për sigurim janë të organizuara në mënyrë mjaft profesionale, kanë ekipe profesionale dhe ju ofrojnë shërbime adekuat klientëve të tyre, që nga pranimi në sigurim dhe deri në zgjidhjen problemit të dëmeve në rast të ndonjë ngjarje që shkakton dëm. “Njëherazi, është mjaft me rëndësi për çdo kompani të sigurimeve që çdo klient që sigurohet të dijë konkretisht se çfarë lloji të shërbimit të sigurimit kërkon, çka i nevojitet dhe cilat janë rreziqet eventuale. Në këtë mënyrë do të anashkalohen edhe mjaft mosmarrëveshje midis dy palëve kontraktuese”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.
Në ndërkohë, përkundër rritjes prej 1.53 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të mjeteve në 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kjo shifër është akoma e ulët në raport me mesataren prej 60 për qind të Bashkimit Evropian. Ekonomistët shtojnë se niveli i sigurimit në një shtet varet edhe nga mundësitë ekonomike të popullatës, si dhe traditës për shkak se në shtetet evropiane shpesh sigurimi jetësor paraqet edhe një dhuratë për shembull për ditëlindje. Përfaqësuesit e sektorit të sigurimeve thonë se çmimet e polisave nuk janë përcaktuese për rritjen e interesimit të qytetarëve dhe nuk sjellin edhe numër më të madh të kontratave.
“Pakot e sigurimeve te llojet e obligueshme të sigurimeve si ajo e amvisërive dhe sigurimi i pasagjerëve kanë çmime mjaft të kapshme. Për shembull, polisa për sigurimin e amvisërisë që përfshin rreziqet për zjarr, eksplodim, goditje të rrufesë, breshër, tërmet, vjedhje, vërshime etj për një banesë me madhësi mesatare të metrit katror kushton afër 2500 denarë për tërë vitin. Nga ana tjetër, një ngjarje e dëmshme si derdhja e ujit nga ngrohja qendrore në rast se nuk ka polisë që përfshin rrezikun adekuat mund të kushtojë afër 2000 euro. Kjo është shumë e barabartë me shumën që do të paguani për sigurimin e banesës për 50 vjet”, thonë nga Kompania e Sigurimeve Viner. Nga atje, shtojnë se sigurimi është i kapshëm lidhur me çmimet, ndërsa nevojitet që të gjithë faktorët e prekur të punojnë për rritjen e vetëdijes për sigurim cilësor. Kjo, me qëllim që qytetarët të kuptojnë se sigurimi është mjeti më i mirë për mbrojtjen e pronës së tyre që duhet të shikohet si investim dhe jo si harxhim. (koha.mk)