Sigurimi i shtetit, lustrimi dhe shteti mafioz

10

Protestat kundër qeverisë vazhdojnë prej një muaji në Bullgari. Korrupsioni dhe lidhjet e vjetra e mbajnë si në darë vendin. Thirrjet për lustrim bëhen gjithnjë e më të forta

“Lustrim! Ne kërkojmë përjashtimin e ish-anëtarëve të Partisë Komuniste Bullgare BKP, të agjentëve të ish-sigurimit të shtetit dhe të gjithë elitave të dikurshme komuniste nga politika dhe shoqëria!” Prej gati 30 ditësh vazhdojnë protestat kundër qeverisë bullgare. Tani thirrjet për “lustracion”, si kjo e organizatës “BOETZ”, bëhen gjithnjë e më të fuqishme. Edhe ish-kryetari i komisionit të dokumenteve të sigurimit në vitin 2001, Metodi Andreev, në një intervistë me “Radio Plovdiv” e vlerëson mungesën e lustracionit si shkak për “shtetin mafioz”.

LUSTRIMI, ÇFARË ËSHTË KY?

Lustrimi (nga latinishtja lustrare, “bëj të ndritshëm” ose “pastroj”) nënkupton largimin sistematik nga funksionet zyrtare të personave të ngarkuar politikisht. Ka vetëm pak shembuj historikë për këtë: përjashtimi i ish-nazistëve nga funksionet në Gjermani pas 1945. apo ndalimi i vitit 1990 që anëtarët e policisë sekrete të RDGJ-së të mbanin funksione publike në Gjermaninë e ribashkuar. Me lustrimin de facto Gjermania përshkoi një rrugë të veçantë në vitet 1990- ndryshe nga shtetet e tjera të ish-bllokut lindor.

Parakusht për lustrimin është hapja e arkivave. Ajo që për një qytetar normal duket si një grumbull letrash të vjetra të pluhurosura, ka një fuqi të jashtëzakonshme shpërthyese: Këtu mund të gjenden dokumentacione mbi tortura, vrasje, spiunim, psiko-terror, plaçkitje, përvetësim, kontrabandë apo pastrim parash. Nuk ishte rastësi që të gjitha sigurimet e shteteve socialiste dhe partive komuniste në vitin 1989 nisën shkatërrimin e arkivave të tyre.

Në Berlin me 15 janar 1990 demonstruesit sulmuan qendrën e STASI-t (Sigurimit të Shtetit) për të ruajtur pikërisht këto arkiva. Në Bullgari demonstruesit në vitin 1990 mësynë selinë e partisë BKP, ndërsa Sigurimi i Shtetit DS deri në verën e 1990-ës kishte shkatërruar gati 40% të arkivave. Jashtë Gjermanisë zgjati deri në dy zgjerimet e BE në Lindje, në 2004 dhe 2007, derisa gati të gjitha shtetet e mëparshme socialiste i hapën dosjet e ish-policive të tyre sekrete. Në Bullgari përpjekje të tilla kishin dështuar disa herë më parë.

LIDHJA: SIGURIMI I SHTETIT, MAFIA DHE KORRUPSIONI

Po përse në Bullgari çështja e ish-kuadrove komuniste është kaq e ndjeshme edhe 30 vjet më vonë? Kjo pyetje vë në pah rolin e shumanshëm të shërbimit të fshehtë bullgar në periudhën e tranzicionit. Për ekspertë si Momçil Metodiev, studiues në Institutin për Historinë Bashkëkohore në Sofje, është e padiskutueshme që kuadrot dhe rrjetet e sigurimit shtetëror komunist janë çelësi i krijimit të “shtetit mafioz” modern. Përmes rrjeteve dhe lidhjeve të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, zyrtarëve në parti dhe ekonomi, miliona e miliona pasuri të partisë dhe të shtetit u zhdukën në vitet e egra të tranzicionit politik pas 1990.

Sipas një informanti, shërbimi sekret sovjetik KGB në vitin 1980 numëronte në Bullgari mbi 1000 milionerë, që kishin arritur pushtet dhe pasuri përmes funksioneve të tyre shtetërore. Në vitet 1990-të numri u shtua. Në “valixhe të kuqe” thuhet, kryeministri Andrey Lukanov u ka shpërndarë miliona leva bullgare kuadrove të përzgjedhur të partisë dhe sigurimit të shtetit, për të ngritur firma, media, biznese, hotele, banka, apo siguracione. Paraja shtetërore u bë private, oficerët e sigurimit të shtetit dhe kuadrot e partisë morën ndihmën për periudhën e re. Kur rënia e komunizmit i detyroi shokët e vjetër të partisë dhe shërbimit sekret të hiqnin dorë pjesërisht nga pushteti politik i tyre, ata siguruan kështu ndikimin ekonomik dhe shoqëror.

Shqyrtimet e sotme të “Komisionit për dosjet” tregojnë një pamje të qartë sesi punonjës zyrtarë dhe jozyrtarë të Sigurimit të Shtetit përshkojnë politikën, ekonominë dhe shoqërinë bullgare. Kjo përkatësi simbolizon edhe pas më tepër se 30 vjetësh lidhjet e kuadrove komunistë, grupimeve, rrjeteve kriminale, korrupsionit, pasurimit dhe marrëveshjeve të prapadhomave.

LUSTRIM I DËSHTUAR NË BULLGARI

Ky cikël i errët nuk u ndërpre kurrë në Bullgari. Partia Socialiste Bullgare, e rizgjedhur në verën e vitit 1990, arriti të pengonte vazhdimisht kërkesat për hapjen e dosjeve dhe lustracionin. Edhe opozita dështoi: Në vitin 1997 dhe 2001 qeveria e Ivan Kostovit u përpoq të hapë arkivat dhe kryejë mbikëqyrjet, por dështoi. Tepër pikant ishte fakti se gjyqtarët kushtetues, që bllokuan ligjet përkatëse, ishin vetë ish-kontribuues të Sigurimit të Shtetit.

Kështu hapja e dosjeve u shty deri në hyrjen e Bullgarisë në BE në vitin 2007. Në atë kohë u ngrit me nxitim “Komisioni i sotëm për dosjet – KOMDOS”. Në fakt KOMDOS arriti për herë të parë që të mbledhë dhe të hapë në një arkiv të vetin një pjesë të madhe të dokumenteve të mbetura. Megjithatë ish sigurimsat nuk kanë pse tremben nga një lustrim apo nga pasojat ligjore. Në vitin 2010 pati një rast shumë domethënës: Diplomatë bullgarë të rangut të lartë u zbuluan në masë si ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit. Për të parën herë dhe të vetmen ndodhën shkarkime. Por ky “lustrim i heshtur” u rrëzua nga Gjykata Administrative, pasi nuk ekzistonte bazë ligjore për të.

Mungesa e lustrimit është në Bullgari një traumë kolektive. “Hapja e arkivave dhe lustracioni në fillim të tranzicionit do t‘i kishte penguar apo së paku kufizuar lidhjet dhe varësitë e vjetra, që ekzistojnë deri sot dhe që janë baza e korrupsionit të sotëm”, vlerëson Momçil Metodiev. Hija e gjatë e këtyre dështimeve e përndjek politikën dhe shoqërinë bullgare prej tri dekadash. Tani ajo – përsëri – ka arritur protestat masive. Por a është lustrimi ende një opsion realist në vitin 2020? Ekspertët si Metodiev janë mjaft skeptikë: “Është e vështirë të thuhet se çfarë rezultatesh do të kishte një lustracion sot.” Gardat e vjetra të partisë dhe sigurimit të shtetit janë tashmë në pension dhe e kanë kaluar skeptrin e vet te brezi tjetër. Elita të reja, siç kërkojnë protestat e sotme, nuk do të krijojë dot më lustroni. 30 vjet pas rënies së komunizmit ai do të kishte vetëm kuptim simbolik. Por lustrimi do të përbënte bazën morale për krijimin e elitave të reja. Dhe dëshira për elita të reja është e dukshme në të gjitha qarqet e shoqërisë bullgare.

Comments are closed.