Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 mars – Ndonëse nga viti 2008 shteti mbulon afër gjysmën e sigurimit bujqësor të të mbjellave, fermerët në Maqedoni vazhdojnë të jenë skeptik për përfitimet nga sigurimi bujqësor. Këtë e tregojnë edhe të dhënat zyrtare, sipas të cilave në vitin 2015 janë nënshkruar 5.000 kontrata, ndërsa në vitin 2016 janë shitur vetëm 2000 kontrata për sigurim bujqësor, shkruan gazeta KOHA.
Edhe në vitet e tjera, shifrat e sigurimit bujqësor nuk janë lakmuese, përkundër asaj se që nga viti 2008, qeveria vendosi masën e ndihmës për sigurimin e prodhimit primar bujqësor , fatkeqësive natyrore dhe kushteve të pavolitshme klimatike me 60 për qind të sigurimit.
Një pjesë e shoqatave bujqësore në Maqedoni vlerësojnë se bujqit janë nuk besojnë se kontratat që do të lidhin me kompanitë e sigurimit do të zbatohen në praktikë.
“Bujqit thjeshtë janë skeptik dhe nuk besojnë se me të vërtetë do të kenë dobi nga sigurimi i të mbjellave bujqësore dhe sa realisht do të fitojnë kompensime të caktuara për dëmet e ndryshme. Frika e tyre buron edhe nga fakti se kompanitë e sigurimeve shpesh premtojnë diçka para nënshkrimit të kontratës, ndërsa më vonë kërkesat e tyre nuk realizohen apo realizohen me shumë vështirësi. Mbetet të shohim si shoqatë se çka propozohet dhe parashikohet në drejtim të mbështetjes më të madhe të sigurimit bujqësor. Pra, ne do të japim vlerësimin tonë për modelin e ri të sigurimit të mbjellave pasi të shohim konkretisht në letër se çka përmbajnë ndryshimet që propozohen nga Ministria e Bujqësisë”, thotë Mendu Nuhiu, kryetar i Shoqatës së bujqve “ Agrokultura”, nga Likova.
Nga ana tjetër, bujqit ankohen për mënyrën e vlerësimit të dëmeve që kryejnë kompanitë e sigurimeve . Ato kërkojnë nga kompanitë e sigurimeve që deri në muajin nëntor të këtij viti të publikojnë programin , që të mund me kohë të informohen me pakot e ndryshme që ofrojnë kompanitë.
Në ndërkohë nga Ministria e Bujqësisë thonë se po shqyrtohet modeli i ri i sigurimit në bujqësi për shkak të numrit të ulët të kontratave për sigurimin e të mbjellave. Do të punohet edhe në rritjen e vetëdijes për nevojat dhe përfitimet nga sigurimi tek bujqit.
“Nuk mundemi çdo herë të ndikojmë ndaj ndryshimeve klimatike, por si ministri duhet të punojmë për instrumentet efikase me të cilat do të mbrojmë prodhimtarinë bujqësore , ndërsa bujqit do të mund të mbulojnë humbjet. Gjithashtu bujqit e siguruar kanë qasje ndaj më shumë programe të subvencionimit , ndërsa në aspekt afatgjatë, sigurimi bujqësor do të lehtësojë edhe buxhetin që në pjesën më të madhe harxhohet për pagesën e dëmeve që ju shkaktohen bujqve :, thotë ministri i bujqësisë , Ljupço Nikollovski.
Sipas duhet të gjendet mënyrë dhe model më funksional në suaza afatshkurtra, afat mesme dhe afatgjate , që bujqit të sigurojnë të mbjellat, në vend se të presin dëmshpërblim siç praktikohej në të kaluarën. Në këtë drejtim do të shfrytëzohen edhe përvojat nga Spanja dhe Turqia .
Nga ana tjetër, ofertat e kompanive ofrojnë sigurimin e të gjitha kulturave bujqësore që akoma nuk janë mbledhur apo grumbulluar. Sigurohen edhe rendimentet e pritura vjetore të rrushit, pemëve, drithërave, perimeve dhe kulturave industriale.
Ndër rreziqet themelore që mbulon sigurimi janë breshëri, zjarri dhe rrufeja. Rekomandohet që krahas sigurimit themelor, të nënshkruhet edhe sigurim shtesë për të mbrojtur frutat dhe të mbjellat nga vërshimet, ngricat pranverore dhe stuhitë. Gjithashtu mund të sigurohen edhe mbulimi i humbjeve të mollëve, dardhave , pjeshkave dhe kajsive nga humbja e sasisë dhe cilësisë. Sigurimi mbulon vetëm të mbjellat dhe rendimentet në sipërfaqen bujqësore të siguruar në periudhën nga mbjellja deri në grumbullimin e tyre.
Ndryshe, bujqësia në Maqedoni merr pjesë me 10 për qind në krijimin e PBB duke krijuar vlerë financiare prej afër 900 milion euro. Në arritjen e këtyre projeksioneve financiare merr pjesë vetëm afro 20 për qind e popullatës, të cilët merren me bujqësi, si veprimtari primar apo dytësore, por pa harruar faktin se veprimtaria bujqësorë dhe blegtorale paraqet edhe burimin e vetëm të ekzistencës së shumë familjeve, kryesisht në rajone rurale. (koha.mk)